Një gjykatë në La Seu d’Urgell lufton për të arritur ekstradimin e një biznesmeni shqiptar me banim në Dubai
Nga Rebeka Carranco – El Pais
Operacioni i mashtrimit me kriptomonedha. Mossos dhe Garda Civile kontrollojnë një nga qendrat e thirrjeve në pronësi të biznesmenit të arratisur në Shqipëri.
Një gjykatë e vogël në La Seu d’Urgell (Lleida) lufton si Davidi kundër Goliathit. Nga zyrat e tyre në Katalonjën e largët të Pirenejve, një prokuror, një gjyqtar dhe një ekip policie dhe rojesh civile janë duke luftuar për gati gjashtë vjet për të çmontuar atë që ata e konsiderojnë si një rrjet global, me një ‘hidra’ prej njëmijë kokash dhe më shumë se 500 domene në internet, të dedikuara për mashtrimin e mijëra njerëzve me investime të rreme financiare. Objektivi i tij i fundit: arritja e ekstradimit të Amant Josifit, 35 vjeç, biznesmen i njohur shqiptar, ish-këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes, tashmë banues në Dubai.
Gjykata e ka kërkuar që në nëntor të vitit të kaluar, kur hynë në Shqipëri, në një operacion europian, dhe regjistroi dhjetëra call center-at në pronësi të Josifit nga ku gjoja agjentë fals ishin të dedikuar për të mashtruar qytetarët nga e gjithë bota. Ata nuk gjetën asnjë gjurmë të biznesmenit dhe që nga ajo kohë ai figuron zyrtarisht si i arratisur nga drejtësia. Hetuesit e akuzojnë atë se ka luajtur “një rol udhëheqës në një organizatë kriminale ndërkombëtare që, me përdorimin e inxhinierisë sociale, përfiton nga kryerja sistematike e mashtrimeve shumë të sofistikuara”, sipas urdhrit të ekstradimit, të lëshuar në shtator.
Josifi gëzon një mbështetje politike dhe sociale në vendin e tij, i cili e përjetoi si tërmet operacionin e arrestimit të tij një vit më parë. Si dhe arrestimin e tij zyrtar të mëpasshëm më 4 shtator në Dubai, nga i cili u lirua, në pritje të kërkesës për ekstradim në Spanjë. Kreu i gjykatës hetimore numër 2 të La Seu d’Urgell e bëri këtë më 15 shtator, me një urdhër të apeluar nga mbrojtja e biznesmenit. Hetimi që përfshin Josifin është një nga më të rëndësishmit e kryer në Spanjë dhe Evropë, ku përfshihen edhe vende të tjera, si Gjermania, Finlanda apo Suedia. Policia vlerëson se ka më shumë se 235,000 viktima, të një organizate që fiton 400 euro në minutë dhe 50 milionë çdo tremujor dhe që ndryshon emrat, domenet dhe vendet sa herë që përpiqet dikush ta ndalojë. Vetëm në Spanjë, ata kanë zbuluar rreth 17,000 viktima të mundshme. Në rastin e La Seu d’Urgell janë identifikuar 47, në një mashtrim prej më shumë se 3.3 milionë, dhe 500 ankesa të tjera në të gjithë territorin e pajtueshëm me rrjetin, prej gjashtë milionësh.
Në këtë kuadër, hetuesit pohojnë se Josifi ka rolin kryesor dhe për këtë arsye gjyqtari kërkon ekstradimin e tij në Spanjë. Nga ana tjetër, biznesmeni pretendon se ka marrë me qira vetëm qendrat e thirrjeve dhe distancohet nga çdo aktivitet kriminal. Mbrojtja e tij, në duart e avokatit Gonzalo Boye, këmbëngul se Josifi është i pranishëm në këtë çështje dhe në dispozicion të gjykatës, të cilës i është ofruar disa herë të dëshmojë me videokonferencë. Ai argumenton se ekstradimi nuk përputhet me parimin e “proporcionalitetit”, përveç nëse objektivi “është vetëm dhe ekskluzivisht burgosja e z. Josifi”. Prandaj, ekstradimi i tij do të ishte një “masë joproporcionale, e panevojshme dhe e papërshtatshme, lëshimi i kërkesës për ekstradim në kundërshtim të hapur me rregulloret e Unionit”. Gjykata këmbëngul se ekziston rreziku i lartë i arratisjes dhe përsëritjes së krimit, në një betejë ku tashmë fjalën e parafundit e ka Gjykata e Lleidës./