Autore: Isela Hunçi | Citizens.al
Për shumë studentë, rruga nga Elbasani drejt Tiranës nuk është thjesht një itinerar për në universitet, por një test i vërtetë durimi.
Trafiku i rënduar, mbipopullimi në linjat e autobusëve, oraret e parregullta dhe mungesa e informacioneve të qarta bëjnë që udhëtimi i përditshëm të shndërrohet në sfidë të vështirë, sidomos për ata të cilëve u duhet të mbërrijnë në kohë për të ndjekur leksionet.
Genti, një student i informatikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, jeton në lagjen “5 Maji” në Elbasan dhe çdo ditë merr autobusin për të udhëtuar drejt universitetit. Ai thotë se nga shtëpia deri në universitet, dhe anasjelltas, shpesh i duhen deri në katër orë.
Sipas tij, ndodh shpesh që vonesa në linjat qytetase dhe trafiku i rënduar bën që shpesh ai të mos shkojë në orarin e duhur në mësim.
“Një shembull konkret ishte këtë të enjte, kur duhet të isha në mësim në orën 9:00, por mbërrita në orën 9:35 për shkak të trafikut të rënduar, i cili tashmë është bërë një problem i zakonshëm”, rrëfen Genti.
Po ashtu, kostoja financiare për udhëtimin ndërqytetas mbetet shpenzim shtesë për studentët. Në Tiranë, lëvizja brenda qytetit zgjidhet me abonenë e studentit, por kjo abone nuk vlen për transportin ndërqytetas.
Gjithashtu mungojnë korsitë e dedikuara për autobusët brenda qytetit duke mos i dhënë përparësi dhe duke ndikuar në vonesa.
Një pyetësor i shpërndarë në grupet e studentëve tregoi se shumica e tyre kanë hasur vonesa të gjata për shkak të trafikut dhe kanë pasur vështirësi për të mbërritur në kohë në destinacionet e tyre.
Kjo situatë ka shpërfaqur nevojën për përmirësime në transportin publik, sidomos për sa i përket orareve të rregullta dhe shtimit të linjave të autobusëve.
Për të zgjidhur këtë situatë, studentët sugjerojnë një mori masash, duke përfshirë shtimin e linjave të autobusëve dhe ofrimin e aboneve studentore edhe për linjat ndërqytetase. Sipas Gentit, investimi në këtë aspekt do të ndikonte jo vetëm te studentët po te secili qytetar që përdor transportin publik.
Në këtë situatë, faktorët që kontribuojnë në ngarkesën e transportit përfshijnë shtimin e lëvizjeve gjatë festave dhe fundjavave, si dhe rritjen e numrit të turistëve. Kjo është përforcuar edhe nga punimet për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, të cilat kanë shkaktuar më shumë bllokime.
Për të lehtësuar udhëtimet dhe për të reduktuar pritjet e panevojshme, studentët rekomandojnë krijimin e një platforme digjitale që do të ofronte informacion në kohë reale për oraret, vonesat, vendndodhjen e autobusëve dhe trafikun.
Ky informacion do të ndihmonte udhëtarët të planifikonin më mirë udhëtimet e tyre, duke eliminuar pasigurinë dhe pritjet e panevojshme.
Përmes një kërkese për informacion iu drejtuam Bashkisë Elbasan ku kërkuam të dimë për masat e ndërmarra për të adresuar ankesat, si dhe nëse ekziston një program subvencionimi për të mbështetur studentët për të siguruar transport të përballueshëm.
Mirëpo, deri në publikimin e këtij shkrimi nuk morëm përgjigje, edhe pse afati zyrtar ka kaluar.