Nga Kastriot Kotoni
Arti është, si ai gëzofi apo (manteli) që e vesh, (e zbukuron) njeriun në shpirtin e tij dhe e mbron nga veset e mënxyrat.
“Mbretëria shpirtërore është burimi i së vërtetës dhe i diturisës”, na mëson Platoni tek libri “Republika”.
Njeriu ka fatin që ta dijë edhe fundin dhe fillimin e ferrit dhe të parajsës megjithëse ka luftuar që nga lashtësia për qytetërim ende nuk e ka në kokë kurorën e lavdisë. I bën të gjitha i shkreti njeri, të mallkojë e të dashurojë veten, të shpërndajë dituri dhe humanizëm, të braktisi nënë e babë dhe fëmijë, si dhe të prodhojë armë kundër vetvetes, të tejkalojë qënien e tij, të ndryshojë seksin dhe gjininë, si edhe të dëshirojë fundin me metodën e (otanazisë).
Por një krim mediatik i kohëve të fundit, i një korrace gazetarësh dhe analistësh këtu në Shqipëri , për të zhdukur (elefantin në shtëpi), ngjarjet që po ndodhin dhe priten të ndodhin nga lufta kundër korrupsionit me historinë e një këngëtareje shqiptare në Amerikë, është e papreçedentë. Mungesa e vetkontrollit profesional është një tjetër shkak i lukunisës së gazetarëve për të rendur drejt skupit mediatik, drejt dehumanizmit dhe deheroizimit të personazheve që shfaqen.
Siç ka thënë Nënë Tereza“: Mos të gjykojmë pa fund njëri tjetrin, se më pas nuk ka vend për dashuri”. Por, për të gjithë ne brezin e rritur me filmat dramatik, tragjik dhe emocional si “Dëgjoni këngën time”, “Burri me pantallona të shkurtra”, “Gruaja e panjohur”, “Rrugë të kaltra”, “Fatma”, “Çatia”, “Më fal”, “Në moshën e dashurisë”, “Çoçarja”, “Propozimi i ndyrë”, ngjarjet të tilla nuk përbëjnë lajm, as sensasion, ato na duken lule, sepse ka pasur ngjarje si para dhe pas luftës së dytë botërore edhe më të rënda.
Ne kur kujtojmë çfarë kemi përjetuar në diktaturë e kthejmë problemin në luftë ideologjike, dhe kur ngjarjet vazhdojnë në emigracion me fenomene të padëgjuara për krimin shqiptar në familje, për kriminalitetin shqiptar nëpër botë i përtypim, sikur ato nuk janë ngjarje që kanë lidhje me botën shqiptare.
Mjafton një emision si “Njerëz të humbur”, që të kuptosh katandisjen tonë në këto 34 vjet me një shtet që i përzuri shqiptarët herë me anije e herë nëpër male me parajsën e premtuar të botës së lirë. Ishin apo jo shqiptarët të cilëve iu premtua çeku i bardhë?
A nuk shkatërruam gjithçka në emër të luftës kundër komunizmit?
Ligjet 7501 kush i shpiku?
Po ligjin24\1 që i flakte njerëzit nga puna?
Firmat piramidale kush ua ngriti shqiptarëve?
Shteti pra ai që i jep një kartë identiteti, domethënë je i matrikulluar, si gjedhi, pula e shpendët, por ama je shqiptar. E të pyet shqiptari i ngratë, kudo ku është: E për çfarë ta dua kartën e identitetit, kur askush nuk më përgjigjet për një vulë a për një hall, e jo më për të vdekurit e të gjallët shqiptarë, si ngrysen e si gdhihen nëpër botë?
Dhe sheh si ngrefen dhe fryhen si gjela plot arrogancë me luks parizien një tufë shtetarësh shqiptarë me gjysmën e popullsisë në emigracion. Struktura shpirtërore e këtij populli po cënohet çdo ditë dhe historia e tij do të duket një kaos ngjarjesh që drejtohen nga rastësia.
Në botën e qytetëruar çmimet e para nuk i marrin ata që kanë rezultate të larta në shkencë, por ata që kanë treguar me vepra një karakter të mirë dhe të vendosur për vepra të larta humane. Ai qytetërim që ka krijuar në shekuj idetë themelore në fushën e artit, shkencës, letërsisë dhe filozofisë, ka ruajtur edhe karakterin dhe ndjenjat e popullit, ndaj edhe shpëtimin e kanë gjetur prej tyre.
Vargjet e skalitura artistikisht nga poeti patriot “për kohën e maskarenjëve”, janë aktuale edhe për emigrantët të cilët partitë politike në Shqipëri po ia kërkojnë votën. Ata emigrantë le t’i kujtojnë politikës, ku ishte këto 34 vjet dhe fenomenin e artistes mbarë kombëtare?