Elis Bakaj, mes SHBA e Tiranës

Pritej që Elis Bakaj brenda kësaj jave të vendoste të ardhmen, por kjo nuk do të ndodhë. Burime të sigurta pranë mesfushorit konfirmojnë se ai ka kërkuar disa ditë më shumë kohë, para se të zgjedhë ekipin e ri. Bisedimet me Tiranën janë intensive dhe shanset që ai të veshë fanellën bardheblu sa vijnë edhe shtohen, megjithatë ngërçi qëndron te vetë lojtari.
Ai dëshiron që të luajë jashtë vendit, ndaj edhe po mban “pezull” kryeqytetasit. Madje një ofertë joshëse prej afro 250 mijë eurosh ka ardhur nga Bejing Kongu, ekip që militon në ligën e dytë kineze. Kjo skuadër drejtohet nga një trajner bullgar tashmë, Jasen Petrov dhe sezonin e ka mbyllur në vendin e 8-të.
Rishtaz ka dalë në skenë edhe një klub amerikan për shërbimet e ish-bomberit të Tiranës. Autori i 27 golave me bardheblutë në dy sezonet e kaluara ka nisur negociata me një ekip që militon në kategorinë e dytë, konkretisht në NASL. Bëhet fjalë për Indy Eleven, që vitin 2016 e ka mbyllur në vendin e dytë të renditjes. Palët i kanë kryer bisedimet fillestare dhe burime pranë vetë futbollistit konfirmojnë se tashmë po pret vetëm kushtet kontraktuale. Nëse do të jenë bindëse, atëherë Bakaj mund të kalojë në SHBA. Nëse bardheblutë paguanin afro 70 milionë lekë për pagat mujore të lojtarëve, tashmë që Muzaka&CO nuk janë më, kostot janë ulur ndjeshëm. Me këto para bardheblutë kanë luksin që të bëjnë afrime realisht cilësore në repartet që kanë në plan për të përforcuar.

Artikulli paraprakHysaj flet për autogolin
Artikulli tjetërProbleme te Chelsi