Nga Eljan Kasa
Këto zgjedhje treguan se vazhdon votimi bardhë e zi.
Koha për një opozitë të re dhe të besueshme.
Pas zgjedhjeve të 11 majit, rezultati është i qartë: Partia Socialiste, nën drejtimin e Edi Ramës, ka siguruar një fitore të katërt radhazi. Sipas rezultateve paraprake, socialistët kanë marrë rreth 53% të votave, ndërsa “opozita” e udhëhequr nga Sali Berisha ka arritur vetëm 34%.
Kjo humbje e thellë është një sinjal alarmi për të gjithë ata që besojnë në nevojën për një opozitë të fortë dhe të besueshme. Partia Demokratike, nën drejtimin e Berishës, ka dështuar të ofrojë një alternativë reale për qytetarët shqiptarë.
Berisha, një figurë politike me një histori të gjatë, është përballur me akuza të shumta për korrupsion dhe është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara jo pa shkak. Për më tepër, ai ka qenë nën arrest shtëpiak për gati një vit, përpara se të lirohej nga Gjykata e Posaçme me urdhër të atij që i dha dhe vulën për ta patur përballë dhe në këtë mënyrë të realizonte këtë fitore.
Nën drejtimin e tij edhe në disa raste në hije, opozita ka marrë vendime të diskutueshme, si dorëzimi i mandateve parlamentare dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale . Këto veprime kanë lënë një vakum në skenën politike shqiptare, duke i dhënë qeverisë një kontroll të plotë.
Është koha që Partia Demokratike dhe opozita në tërësi të reflektojnë mbi këtë situatë dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të ndërtuar një lidership të ri, të pastër dhe të përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve. Shqipëria ka nevojë për një opozitë që nuk është e ngarkuar me të kaluarën, por që shikon drejt së ardhmes me vizion dhe integritet.
Nëse kjo nuk ndodh, rrezikojmë të shohim një përqendrim edhe më të madh të pushtetit në duart e një partie të vetme, duke minuar parimet themelore të demokracisë. Shqiptarët meritojnë më shumë se kaq.
Është koha për ndryshim. Një opozitë e re, e besueshme dhe e përkushtuar është thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë. Duhen falenderuar dhe përcjellë nëpër ish profesionet e tyre figurat e vjetra, pasi kanë më shumë se 10 vite që më shumë prishin punë se rregullojnë me shfaqen e tyre në publik. Eshte momenti i tokës së djegur për të rindertuar atë që do jetë opozita reale e së ardhmes, ajo opozitë që ringjall shpresën e humbur tek njerëzit.