Në një vend ku kriza shpesh lidhet me papunësinë, korrupsionin apo mungesën e shpresës, po harrojmë të flasim për kërcënimin më të afërt dhe më të egë, atë që fusim çdo ditë në shtëpitë tona, që e vendosim në tryezë, që përveçse e konsumojmë vetë i’a japim fëmijëve tanë me bindjen se po kujdesemi për ta. Po flas për ushqimin. Më saktë, për minën me sahat që transportojmë çdo ditë nga dyqani në shtëpi si rezultat i mungesës dramatike të sigurisë ushqimore në Shqipëri.
Tasmë është bërë rutinë mishi kontaminuar ose jashtë standartit, që me provën e vetme të sigurisë që kemi në shtëpi (qeni ose macja) ne e kuptojmë disi pas refuzimit të tyre se çfarë cilësie ka sallami ose qoftja. Nuk mungojnë rastet me produkte të qelbura që i është ndërruar disa herë data e skadencës ose çertifikata e origjinës. Perime me pesticide të ndaluara apo një vezë e infektuar nuk janë më raste të izoluara, pa folur pastaj për qumështin dhe nënoroduktet dhe ngarkesën mikrobike në vlera katastrofike. Këto tasmë janë bërë normë. Dhe më keq akoma: janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë, të pranueshme për një shoqëri që hesht, nën frikë apo lodhje. Për një shtet që pretendon të antarësohet në BE.
Ajo që duhet të jenë përgjegjësi e shtetit, kontrolli, analizat, certifikimi? Por tashmë intitucionet përgjegjëse janë kthyer në një fasadë, thjeshtë për punësim militantësh me gjoja të ashtuquajturat konkurse me emra të paracaktuar. Laboratorët që nuk funksionojnë me kapacitetin dhe koherencën e nevojshme, inspektorë që shfaqen vetëm kur duhet të “gjobisin me porosi”, zyrtarët që firmosin lehtësisht certifikata sigurie për mallra që nuk do t’ia servirnin as kafshëve të tyre shtëpiake. Këto nuk janë më mungesa. Janë krime me përmbajtje helmuese, si armët e shfarosjes në masë.
Sot në Shqipëri, një nënë blen fruta për fëmijën e saj pa e ditur nëse ato janë të ndotura apo janë spërkatur me kimikate të ndaluara në gjithë Europën. Një i moshuar merr një kg gjize apo djathi që mund të përmbajë sasi jashtëzakonisht të larta të baktereve pa folur pastaj për përmbajtjen më shumë niseshte e kripë se sa produkt natyral. Një fëmi kërkon një hamburger ose sufllaqe me mish që duhej të ishte groposur përpara 5-6 viteve, por që është importuar me çertifikata të ndryshuara për ti zhdukur vendin e origjinës dhe kohën e skadencës mbuluar me parafinë. Ndryshimi i “vogël” që kemi me vendet që pretendojmë të antarësohemi është se këtu askush nuk mban përgjegjësi.
Dikush naiv mund të pyesi, Po shteti? Shteti është aty kur vjen puna për të vendosur TVSH, për të marrë taksa, për të futur polici tatimore, për të tërhequr zarfat me lekë etj, por është inegzisten dhe i zhdukur kur duhet të garantojë jetën e qytetarëve të vet. Dhe kjo është tragjike.
Këtu nuk ka më vend për retorikë. Nuk kemi luksin të flasim për ndjeshmëri kur fëmijët sëmuren nga ushqime të kontaminuara. Nuk është rastësi. Është rezultat. Është pasoja e një sistemi që për vite me radhë ka lënë pa kontroll zinxhirin më të rëndësishëm të jetës: atë që na mban gjallë, zinxhirin ushqimor.
Kërkohet një revolucion – jo thjesht në politika, por në ndërgjegje. Kjo klasë politike ka 35 vite që dështon , akoma do presim? Por edhe nëse presim jam i bindur që të njejtin produkt do marrim. Jetojmë një realitet të zi që duhet të marë fund njëherë e mirë. Duhet larguar me votë kjo kastë politike që ka injektuar në çdo kapilar të shtetit vetëm korrupsion. Duhet ti themi “STOP KORRUPSIONIT”, ai vret.
Emergjente janë masat që duhet të merren përsa i takon;
Subvencioneve për fermerët që prodhojnë me standarde. Lehtësira për ata që investojnë në teknologji të pastër. Kontroll real në çdo pikë doganore me analiza nga dy burime të ndryshme laboratorike përpara hedhjes në treg dhe shitje. Markim i detyrueshëm i çdo produkti: kush e prodhoi, ku u ambalazhua, kur u kontrollua. Kërkese për analiza specifike nga njé laborator i BE për sasitë e mishit të importuar nga vende jashtë BE. Kontrolle të befasishme në pikat e përpunimit të mishit, peshkut dhe nën produkteve të qumështit.
Sepse duhet kuptuar që jeta nuk mund të jetë një lojë që t’ja lëmë në dorë fatit dhe politikës së korruptuar. Nuk është më normale të pyesësh veten çdo mëngjes kur jetojmë në mes të Europës ne vitin 2025 : A do të më dëmtojë ajo që do ha sot?
O njerëz kuptoni që dikush po na vret. Ngadalë, në heshtje, me çdo blerje që bëjmë. Dhe vrasësin e kemi zgjedhur ne me votën tonë. Por mund të ndalet, patjëtër. Dhe duhet të ndalet. Jo nesër. Sot. Para se të jetë tepër vonë.