Elon Musk dhe Lacivita për foltoren Amerikane!

Nga Ermal Peçi

Pasi Trump e përzuri nga oborri i lirisë së fjalës, Elon Musk, me zemër të thyer dhe ambicie galaktike, paska vendosur të pushtojë territorin më të çuditshëm të komunikimit politik: Foltoren shqiptare.

Jo, s’bëhet fjalë për ndonjë platformë teknologjike. Bëhet fjalë për atë tribunën prej druri ku dikur bërtiste Enveri, tani bërtasin ata që s’kanë më ku të shkojnë.

Musk ka angazhuar LaCivitën – një miks midis Steve Bannon dhe një këshilltari të PD-së që ka ngecur në vitin 1996 – për të lobuar tek aleatët “vitalë” shqiptarë: Berisha (non grata por gjithmonë në zë), Mediu (akoma me helmeta në sirtar), dhe Meta (tani në burg, por më aktiv se kurrë në rrjet).

Në këtë farsë, Ambasada Shqiptare në Uashington ndërhyri me finesën e një skene nga “Lufta e Yjeve të Fshatit”: një letër për Kongresin Amerikan që thotë, pa asnjë dorashkë diplomatike:
“Nëse mbështesni Elon Musk, do hani bar.”
Ky është paralajmërimi më bujqësor i dekadës.

Edi Rama? I zënë në dilemë kozmike. Nga njëra anë, Trump-i – armiku i Sorosit, shoku i vjetër. Nga ana tjetër, Musk – lojtari i ri i Giorgia Melonit. Rama s’e di nëse duhet të pikturojë një mural për lirinë apo të çojë një dron tek Teslat.

Në fund, kjo është Shqipëria: vendi ku foltorja është start-up-i më i suksesshëm dhe ku diplomacia ka kaluar nga “nota verbale” në “fabula thashethemesh”.
Dhe Elon Musk? Mirë se erdhe në një univers ku edhe satelitët bien… nga llafet.

Exit mobile version