Emërimi i rektorëve të rinj, Nishani: Profesorati triumfoi mbi krimin

Presidenti Nishani u dorëzoi dje dekretet e emërimit të rektorëve të rinj fitues pas procesit zgjedhor të zhvilluar në Universitetet publike të Shqipërisë, ndërsa vlerësoi se zgjedhjet e fundit dëshmuan se liria akademike dhe profesorati triumfuan ndaj krimit. Deklarata e Nishanit iu referua kërcënimit kriminal që iu bë kandidatit për Rektoratin e Tiranës, Mynyr Konit si dhe Rektorit të asaj kohe në detyrë, Dhori Kule.
“Në cilësinë e Presidentit të Republikës dëshiroj t’ju përgëzoj nga zemra për fitoren e arritur të gjithë rektorëve dhe dekanëve të zgjedhur, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen institucionale për punën dhe përpjekjet e paraardhësve tuaj, të ish-rektorëve që na kanë nderuar me praninë e tyre sonte në institucionin e Kreut të Shtetit”, u shpreh Presidenti Nishani.
“E drejta e arsimit dhe autonomia e institucioneve të arsimit të lartë është një nga të drejtat dhe liritë social-kulturore që kanë gjetur mbrojtje nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Procesi i zgjedhjes suaj tregoi se, vota e lirë është mjeti dhe mekanizmi më i rëndësishëm dhe më vendimtar në një demokraci. Ajo na bën të mundur të zgjedhim e të zgjidhemi, duke na garantuar njëkohësisht të drejtat tona, si edhe ato të pedagogëve, të studentëve dhe të mbarë shoqërisë për shkollim të lartë publik dhe pavarësi të plotë në zgjedhjen e tij dhe të drejtuesve të lartë universitarë”, nënvizoi Nishani.
Presidenti i Republikës theksoi në fjalën e tij se reforma në kuadër të arsimit të lartë ka në qendër universitetin dhe studentët, duke përjashtuar çdo përpjekje për qasje të imponuara autoritare, që në rast se do të ndodhin do të ishin fatale për një shoqëri demokratike dhe që synon të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane. Kjo reformë është e mbështetur dhe mbetet thelbësore për të gjithë shoqërinë tonë. Autonomia universitare është thelbi i vetëqeverisjes, e nevojshme për vendimmarrjen efektive të institucioneve të arsimit të lartë në tërësinë e tyre, por edhe të komunitetit akademik dhe studentor në përmbushje të detyrave akademike dhe arsimore”.
“Profesorati i Universiteteve, gjatë këtyre viteve, i ka rezistuar kapjes nga politika dhe ka arritur të ruajë autonominë e Universitetit. Reforma e Arsimit të Lartë, ndër të tjera, synon pikërisht që të forcojë autonominë universitare, duke u përpjekur të shënojë përparim në këtë drejtim krahasuar edhe me të kaluarën. Universitetet shqiptare sot gëzojnë liri akademike, autonomi financiare, organizative dhe të përzgjedhjes. Liria akademike është me rëndësi thelbësore për Universitetin tonë, ashtu siç është jetike edhe autonomia financiare apo edhe ajo organizative dhe e përzgjedhjes së personelit – të gjitha këto të garantuara nëpërmjet votës dhe të drejtës për të vetëqeverisur. Zgjedhjet e fundit të organizmave drejtuese treguan, veç të tjerash se profesorati triumfon edhe në raste të caktuara të trysnisë nga krimi. Profesorati dhe studentët janë të angazhuar për t’u përballur me çdo sfidë të kohëve të sotme, dhe duket se do të arrijnë të sfidojnë dhe vetë politikën, duke sjellë ndryshimin e madh ashtu siç e sollën në vitet ’90-të”, theksoi Kreu i Shtetit.
“Shqipëria është një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, tha Nishani dhe rinia jonë plot gjallëri dhe me dije, mezi ç’pret t’u bashkëngjitet edhe de jure, bashkëmoshatarëve të saj anembanë kontinentit tonë të vjetër. Djemtë dhe vajzat shqiptare e kanë treguar dhe sprovuar veten si të barabartë me studentët evropianë, por ata dhe prindërit e tyre presin me padurim që niveli akademik, dijet e përfituara dhe diplomat e universiteteve publike shqiptare të kenë po të njëjtën peshë sa edhe ato të marrë me aq mund, sakrifica intelektuale dhe financiare nëpër universitetet e mirënjohura të Evropës dhe të botës. Është detyra dhe përgjegjësia jonë e përbashkët për t’ua ofruar këtë prindërve, studentëve dhe qytetarëve shqiptarë”.
“Përparimi i një kombi matet në radhë të parë me cilësinë intelektuale dhe profesionale të shoqërisë, ku universitetet tona kanë për detyrë t’i mundësojnë brezit të ri ëndrrat dhe shpresat, një edukim bashkëkohor dhe vlerësim të drejtë e të paanshëm të dijeve dhe aftësive të tyre, për t’i përgatitur sa më mirë për sfidat e ardhshme të jetës. Personalisht si qytetar, si prind, si drejtues i një institucioni të lartë të shtetit tonë të përbashkët jam besimplotë se rektorët e sapozgjedhur do të luajnë një rol të rëndësishëm në drejtimin e senateve akademike dhe në përzgjedhjen e strukturave të tjera, duke harmonizuar inovacionin, shkencën me synim ecjen përpara dhe zhvillimin e vendit. Universitetet kërkojnë cilësi dhe cilësia ofrohet nga elitat”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Në përfundim, pasi u uroi përzemërsisht suksese dhe punë të mbarë në detyrën tepër të rëndësishme dhe të pazëvendësueshme për edukimin dhe të ardhmen e brezit tonë të ri, çka kupton të ardhmen e shoqërisë dhe vendit tonë të përbashkët, Presidenti Nishani u dorëzoi dekretet e emërimit rektorëve të: Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni; Universitetit të Vlorës, Roland Zisi; Universitetit Bujqësor, Bari Mysabelliu; Universitetit të Elbasanit, Skënder Topi; Universitetit “Eqrem Çabej”  Gjirokastër, Bektash Mema; Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi; Universitetit të Durrësit, Kseanela Sotirovski; Universitetit të Shkodrës, Adem Bekteshi; Universitetit të Korçës, Ali Jashari; Universitetit Politeknik, Andrea Maliqari dhe të Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata.

Arben Shahini

Artikulli paraprakLobimi tre vite më parë që Asambleja e NATO-s të mbahej më 2016 në Tiranë
Artikulli tjetërPeza u drejtoi armën studentëve