Emery akuzon arbitrin për humbjen

Aventura e Unai Emery te Paris Saint Germain nuk ka nisur në mënyrën më të mirë. 2 humbje dhe 1 barazim në 7 javat e para të Ligue 1 janë shumë për një skuadër që në këto vitet e fundit është mësuar të dominojë në futbollin francez. Disfata 2-0 ndaj Toulouse erdhi në një moment kur skuadra ishte me gazin në maksimum pas sukseseve ndaj Caen dhe Dijon. Shumë i zhgënjyer u shfaq në përfundim të sfidës trajneri i kampionëve të Francës, spanjolli Unai Emery. Sipas këtij të fundit kartoni i kuq që mori Serge Aurier dhe penalltia e akorduar nga gjyqtari në favor të skuadrës vendase në fillimin e pjesës së dytë ndryshuan fatin e sfidës.
“Gjithçka u bë shumë më e vështirë për ne më pas”, deklaroi në vijim Emery. Trajneri kritikoi gjithashtu skuadrën e tij për faktin se në këtë ndeshje e humbi shumë herë topin. “Nuk mund të vazhdojmë kështu dhe ky është një aspekt i lojës që duhet rregulluar menjëherë nga ana jonë”, nënvizoi trajneri spanjoll. Gjithsesi Emery u shfaq optimist përsa i përket shanseve që ka Paris Saint Germain për të mbrojtur titullin në Francë. “Fakti është që kampionati ka 38 javë dhe momentalisht kemi luajtur vetëm 7 raunde, mendoj se kemi kohë për të rikuperuar”, theksoi Emery.
Java e 7 e Ligue 1 nis me një surprizë pasi kampionët në fuqi të Paris Saint Germain regjistruan humbjen e dytë në 7 javët e para. Skuadra e drejtuar nga Unai Emery u dorëzua 2-0 në transfertën e Toulouse edhe pse zbriti në fushë me formacionin më të mirë të mundshëm. Takimi nisi intensiv dhe me dyluftime të ashpra në mesfushë, por pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Në minutën e 3 të pjesës së dytë, Aurier u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, vendasit kaluan në avantazh me penalltinë e saktë të ekzekutuar nga Bodiger.
Dy minuta ferri për parisienët ku humbën pothuajse gjithçka pasi në stadiumin “Municipal” kishte vetëm një skuadër dhe ajo ishte Toulouse. Cavani i humbur në sulmin e miqve nuk e pa pothuajse asnjëherë pasqyrën e portës, ndërsa në krahun tjetër (79) Jimmy Durmaz i dha goditjen përfundimtare ekipit të Emery.
Kaq mjaftoi që Paris Saint Germain të regjistrojë humbjen e dytë duke zbritur në vendin e tretë të klasifikimit, i parakaluar pikërisht nga Toulouse që ngjitet në vendin e dytë me 14 pikë sa Nica kryesuese.

Artikulli paraprakMesi po keqtrajtohet
Artikulli tjetërDe Boer: Gabigol pranë debutimit