Nasser al-Khelaifi ka udhëtuar për në Brazil për të takuar Neymar dhe shumë vetë e kanë interpretuar këtë udhëtim të pronarit të Paris SG si një takim për të diskutuar për të ardhmen e sulmuesit, që sipas gjasave mund të shkojë te Real Madrid vitin e ardhshëm, edhe në bazë të ndikimit të sponsorit teknik “Nike”. Al-Khelaifi do të përpiqet ta bindë Neymar të qëndrojë.
Ndërkohë, trajneri i PSG, Unai Emery, sqaroi: “Pas eliminimit nga Real Madrid do të duhet pak kohë që gjërat të kthehen në normalitet. Presidenti dhe Neymar do të kenë një takim miqësor në Paris dhe për mendimin tim është e qartë se klubi ynë ka një projekt solid që bazohet te Neymar. Al-Khelaifi dhe drejtori teknik Artero Henrique do t’i tregojnë Neymar se cilat janë planet tona për të ardhmen. Ai nuk do të largohet nga PSG”. PSG do të kthehet në fushë pasditen e së mërkurës dhe do të presë në shtëpi Angers, një ndeshje e vlefshme për javën e 31-të, por që do të luhet sot për shkak se Parisi do të luajë finalen e Kupës së Ligës kundër Monaco 31 marsin e ardhshëm, kur do të luhen edhe ndeshjet e javës së 31-të të kampionatit francez. Kryesuesit e Ligue 1 pritet të marrin tri pikët e radhës mbrëmjen e sotme duke parë se ata i kanë fituar të 15 ndeshjet e këtij kampionati që kanë luajtur në shtëpi me rezultatin e përgjithshëm 59 me 9. Skuadra e Emery kryeson me një avantazh prej 14 pikësh ndaj Monaco dhe ka shënuar 25 gola në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit. Angers, nga ana tjetër, është në vendin e 14 të renditjes me 32 pikë, katër pikë larg zonës së rënies nga kategoria. Miqtë kanë marrë dy fitore dhe një barazim në tri ndeshjet e fundit që kanë luajtur në kampionat. Ata kanë humbur 35% të ndeshjeve të kampionatit që kanë luajtur në transfertë dhe, bashkë me Montpellier, janë skuadra që ka regjistruar më shumë barazime në ndeshjet e kampionatit të luajtura larg shtëpisë. Ndeshja e fazës së parë është mbyllur 5-0 në favor të Parisit.