Emigracioni në SHBA dhe kandidatët për president

Emigracioni është bërë një çështje madhore në fushatën presidenciale 2016. Ka kontrast të madh ndërmjet politikave të kandidates demokrate Hillary Clinton dhe kandidatit republikan Donald Trump. Së fundmi, zoti Trump ka zbutur qëndrimin e tij dhe pritet ta qartësojë atë më tej gjatë një fjalimi që do të mbajë sot. Zoti Trump njoftoi dje se ka pranuar një ftesë për t’u takuar me Presidentin e Meksikës. Emigracioni është një çështje me të cilën kandidati republikan merret drejtpërsëdrejti.
Që nga dita që shpalli kandidaturën, zoti Trump propozoi ndërtimin e një muri ndërmjet Meksikës dhe SHBA-së. Ai thotë se do të zbatojë kufizimet për afatet e vizave dhe nuk do të ofrojë nënshtetësi për emigrantët e paligjshëm. Ai synon të heqë 11 milionë emigrantët e paligjshëm nga programet sociale dhe të deportojë personat e dhunshëm:
“Do të filloj largimin e emigrantëve të paligjshëm me aktivitet kriminal.”
Edhe kandidatja Hillary Clinton thotë se do të deportojë kriminelët e dhunshëm. Politika e saj e emigracionit është reflektim i politikës së Presidentit Obama, por është një hap më tej. Ajo thotë se gjatë 100 ditëve të saj të para në detyrë, do t’u ofrojë emigrantëve pa dokumente mundësinë e nënshtetësisë:
“Mendoj se kur kemi miliona emigrantë që punojnë për ekonominë tonë, do të ishte jonjerëzore t’i largonim.”
Një studim i institutit Pew tregon se 70% e votuesve e shohin emigracionin si një çështje të rëndësishme për zgjedhjet. Disa analistë mendojnë se kjo vjen si pasojë e komenteve fillestare të zotit Trump për ndërtimin e një muri. Të tjerë thonë se punëtorët e bardhë i frikësohen humbjes së vendeve të punës.
Analistët thonë se plani për emigracionin i zonjës Clinton pëlqehet nga demokratët liberalë, si dhe nga disa republikanë të moderuar. Së fundmi, edhe zoti Trump ka zbutur tonin e tij, një manovrim në fjalorin politik, për t’u siguruar që mos t’i largohen republikanët e moderuar. Fillimisht, ai donte të deportonte të gjithë emigrantët pa dokumente, ndërsa tani vetëm kriminelët.
William LeoGrande jep mësim lëndën e konfliktit politik në Universitetin Amerikan. Ai thotë se ky lloj manovrimi politik është i rrezikshëm:
“Tani ai i ngjason më shumë një politikani të zakonshëm që po përshtat pozicionin e tij për më shumë përfitim politik dhe nuk i flet më drejtpërsëdrejti popullsisë që i dha emërimin si kandidat.”
Zoti LeoGrande thotë se fushata Trump duhet të përmirësojë mesazhin për votuesit hispanikë, pasi 30% e votës latine në vitin 2012 shkoi për kandidatin republikan për president.

Exit mobile version