Në Shqipëri mungojnë shifrat e sakta të emigrantëve të kthyer përgjatë viteve të fundit për shkak të situatës së vështirë ekonomike që hasën në vendet ku jetonin dhe punon. Megjithatë një pjesë e vogël preferojnë që t’i drejtohen shtetit për të kërkuar ndihmë në punësim. Të dhënat zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punës tregojnë se në fund të 2016-ës numri i emigrantëve të kthyer dhe të regjistruar si punëkërkues të papunë ishte 717, nga të cilët 289 ishin regjistrime të reja. Pjesa më e madhe e tyre janë kthyer nga Greqia (rreth 74%) dhe si shkak kryesor (rreth 84%) kishin papunësinë. Më së shumti emigrantët e kthyer janë familjarë dhe kanë qenë të papunë afatgjatë (75%). Meshkujt janë ata që dominojnë më së shumti të kthyerit (71%) duke qenë edhe kryefamiljarë (41%). Deri në moshën 29 vjeç emigrantët e papunë të kthyer i përkasin më së shumti Qarkut të Elbasanit, të ndjekur nga ai i Kukësit, ndërsa mbi moshën 40 vjeç ishin nga Korça, Vlora dhe Lezha. Pothuajse e gjithë kjo kategori ka pasur vetëm arsim të mesëm dhe fill pas regjistrimit kanë kërkuar më së shumi këshillim për punësim, si dhe orientim profesional.