Nga shqiptarët të ndaluar në kufi që nuk janë lejuar të udhëtojnë, më së shumti janë nën moshën 18 vjeç, zbulon raporti më i fundit i migracionit për 4 vite 2019-2022.
Piku është shënuar në vitin 2019 me rreth 13 mijë të mitur të ndaluar, shifër e cila ka pësuar rënie të ndjeshme deri në 2022 me 55%. Por që krahasuar me 2021, në vitin 2022 është parë një rritje e ndjeshme, nga 4000 fëmijë në rreth 6500 të mitur të ndaluar.
Ndërkaq, të dhënat e Drejtorisë së përgjithshme të kufirit dhe migracionit nënvizojnë si një ndër kanalet kryesore të emigracionit të parregullt braktisjen e fëmijëve, lënia e tyre në vendet pritëse dhe kthimi i prindërve në Shqipëri, dukuri e cila ka rritur numrin e emigrantëve fëmijë të pashoqëruar.
Në lidhje me shtetet nga të cilat janë kthyer të miturit e pashoqëruar në 4 vite, gati gjysma 46% janë kthyer nga Gjermania; 23% nga Franca dhe 7.5%; nga Britania e Madhe, Italia dhe Greqia respektivisht.
Megjithatë duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, vihet re një rënie e numrit të regjistrimeve në arsimin parauniversitar të fëmijëve të kthyer, nga viti në vit.
Në vitin shkollor 2019–2020, në shkolla janë regjistruar mbi 1 013 fëmijë të kthyer nga emigracioni, një vit më vonë janë regjistruar 24% me pak , 796 nxënës; ndërsa për vitin shkollor 2022–2023 janë regjistruar vetëm 661 nxënës, që do të thotë 42% më pak se sa në 2019.
Profili kombëtar i migracionit i miratuar parashikon që të kthyerit në moshë shkollore trajtohen me përparësi dhe u krijohen lehtësi për përfshirjen në sistemin arsimor.
Në çdo fazë të vitit shkollor, zyrat vendore të arsimit parauniversitar bëjnë njësimin e dokumenteve shkollore që ata sjellin me vete dhe i regjistrojnë në shkollë.
Kur është e nevojshme, ata mbështeten edhe me program individual për gjuhën shqipe dhe për lëndë të veçanta. Në VKM rekomandohet parandalimi i fenomenit të migrimit të parregullt nga Shqipëria, duke dhënë informacione mbi rreziqet që lidhen me migrimin e parregullt dhe kërkohet përfshirja e pushtetit vendor në strukturat koordinuese dhe monitoruese për çështje migratore.