Dieppe… emër cinik për një kamp refugjatësh me shqiptarë. Në lindje të Francës, rreth 50 apo 60 kilometra nga brigjet angleze, 200 burra shqiptarë, po jetojnë prej muajsh në kushte çnjerëzore. Nuk ka banorë të vjetër në Dieppe. Me i vjetri mbërriti 7 muaj më parë.
Emrat nuk i thonë. Në kamera nuk pranojnë të tregojnë fytyrën. Nuk duan që familjarët e tyre ta dinë se në çfarë kushtesh po jetojnë. Ujë të pijshëm nuk ka. Dushet apo tualetet mungojnë. Plehrat digjen pranë çadrave, që çdo natë janë të rrezikuara nga rënia e shkëmbinjve.
Ushqimin ia siguron mëshira e organizatave të huaja që veprojnë në Francë. Gjithçka që mbetet janë këto çadra të vogla dhe shpresa për t’u futur fshehtas në port. Jetë katastrofe. Si mos më keq. “Për një jetë më të mirë i kemi këto sakrifica”, thonë ata.
-Çfarë lloj njerëz jetojnë këtu? Të gjithë vinë këtu nga Shqipëria?
Po nga Shqipëria, disa vijnë nga vende të tjera evropiane. Por shumica nga Shqipëria. Shumica shqiptarë. Kanë qenë dhe nga Kurdistani këtu, por na kërcënuan me thika. U bëmë shumë dhe i përzumë.
Në një nga çadrat është varur flamuri shqiptar. Nuk dihet kush nga emigrantët e solli i pari aty, sepse në Dieppe nuk ka rezidentë. Flamuri këtu rri i palëvizur dhe nuk e ka shkëlqimin e flamujve që u valëvitën në Lens, në Marseje apo Lion për kombëtaren shqiptare. Për këta njerëz, që duan të ikin me çdo çmim nga Shqipëria, ky flamur merr një kuptim të dyfishtë. Në njërën anë familja dhe Shqipëria ku janë rritur, në anën tjetër Shqipëria nga e cila kërkojnë të largohen.
-Ku dëshironi të shkoni?
Po në një vend ku të kemi një punë. Të kemi një jetesë normale. Çfarë profesioni keni? Profesioni im është që kam punuar në ndërtim, gati 10 vjet në ndërtim. Unë kam mbaruar shkollën e lartë. Kam punuar si mësues për gati 3 vjet.
-Çfarë ke studiuar?
Histori-Gjeografi. Edhe pastaj pas 3 vjetësh kur erdhi ky sistem, i Edi Ramës me nxorën nga puna.
-Për çfarë arsyesh shqiptarët janë larguar kohët e fundit në numra aq të larta?
Po nga pamundësia për të punuar. Se s’ka asnjë lloj jetese. S’ke jetesën minimale.
-Kjo ka të bëjë me rënien e punësisë në Shqipëri?
Rënia e punësisë mos me e thonë fare. Vetëm ato që kanë miq edhe shokë.
-Nuk ju merr malli për Shqipërinë?
Për Shqipërinë normal që na merr malli për njerëzit, miqësinë që kemi ne. Por politika, kjo na sjell këtej. Kur e mendon me u kthye mbrapsht dhe çfarë të pret në Shqipëri, po të kthehesh kjo na shtyn me shpresën hajt se do ri një ditë andej. Kur e mendon thellë-thellë që do shkosh në Shqipëri pa një punë…kur s’punojmë në këtë moshë, kur do punojmë? Kur do plakemi? Si do krijosh një familje. Ja si zotëria në krah që ka lind fëmija dhe nuk mund ta shikojë, nga pamundësia për ta ushqyer.
Njësoj dhe në Dieppe. Shqiptarët vijnë këtu me shpresën për të ikur. Ata me fat arrijnë të futen natën në port. Nëse nuk dallohen nga policia, fshihen nëpër kamionë apo konteinerë. Nga aty ngarkohen në tragetet që i çojnë në Angli. Kush i ka 7 mijë paund mund të kalojë me skaf drejt brigjeve angleze.
Vincent TRIEST