Shqipëria listohet si një nga vendet më të goditura nga emigracioni masiv. Sipas raportit për 2024, të Organizatës Botërore të Emigracioni IOM, 40% e fuqisë punëtore e vendit tonë vlerësohet të jetë duke punuar jashtë. Ndër dy vendet me shifra më shqetësuese të emigracionit përmendet Shqipëria dhe Moldavia.
“Të gjithë këto të larguar kontribuojnë në ikjen e trurit duke ushtruar presion mbi industritë lokale dhe ekonomitë që humbasin vazhdimisht punëtorë si në sektorët me kualifikim më të ulët, ashtu edhe në atë më të lartë” – citon raporti.
Ndërsa emigrimi masiv i Moldavisë lidhet me pushtimin e Ukrainës, që ka sjellë lëvizjen e detyruar për shkak të rritjes së kostos së jetesës, arsyet e emigrimit të shqiptarëve janë komplet të një lloji tjetër.
Ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në largimin e shqiptarëve sipas IOM listohen normat e larta të varfërisë, hendeku i pagave midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, korrupsioni dhe klientelizmi, etj.
“Mijëra të rinj shqiptarë kanë ndërmarrë udhëtime të vështira në përpjekje të arrijnë Evropën Veriore, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, duke rrezikuar jetën, duke kaluar në kanalin Anglez me varka të vogla ose gomone me fryrje”- shpjegohet në raportin e IOM.
Raporti ndalet dhe tek prurjet migruese të përziera të cilat kanë si synim arritjen e Evropës Perëndimore, valë që e ka shndërruar Shqipërinë në një vend tranzit.
“Rruga e Ballkanit Perëndimor, referuar ardhjeve të parregullta në Bashkimin Evropian, përfshin vende të tilla si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia, ka shënuar rritje të ardhjeve që nga viti 2018” – vijon raporti.
Edhe pse vendin kryesor si rrugë tranziti e mban Serbia me afërsisht 120 mijë regjistrime në 2022.
Në lidhje me valët e forta të ikjeve që po kalon vendi Citizens.al ka publikuar deri më tani dy podkaste , të cilat do të jenë në vazhdën e një cikli të plotë me tetë të tilla të titulluar “Pezull”.
Në podkastin “Emigrim, turizëm, krizë identiteti” antropologu Nebi Bardhoshi shpjegon se politika udhëheqëse e ka shitur debatin e të larguarve si tërësisht natyral. Madje sipas tij shpesh për të zhvendosur vëmendjen nga debati i ikjes diskutohet mbi shifrat e larta të turizmit.
“Shumë vende janë turistike, por nuk është e thënë të jenë demokratike, janë vende të bukura për tu vizituar dhe zakonisht kanë çmime të lira se njerëzit janë të varfër. Pra ne këtë lloj turizmi kemi deri tani!” – analizon ai.
Ai thekson se qeveria shqiptare nuk ka qëndruar neutrale për të përthithur forcë punëtore nga vende aziatike apo afrikane, por nga tjetër ajo nuk është shfaqur aktive për të ndaluar ikjen e rinisë shqiptare.
“Nëse s’duam të jemi shoqëria e ikjes, duhet të rithemelojmë politikën e shpresës, jo si naive, por si domosdoshmëri. Nëse s’kemi politikë që na jep shpresë se një elitë të re do vi, nëse nuk e shpikim dot si shoqëri këtë mënyrë politike, do jemi një vend i ikjes!” – përfundon Bardhoshi./citizens.al/