Emigrimi, nis zbrazja e Vlorës, Tiranës, Elbasanit…

Vlora, Elbasani, Tirana, Berati, Lezha, Fieri dhe Durrësi janë evidentuar si qarqet me potencialet më të larta të emigrimit, në anketën e vitit 2018 të Gëdeshi-King. Dëshira për të ikur është e lartë për qytetarët e Vlorës, ku 66.7% e qytetarëve i kanë thënë po emigracionit, të ndjekur nga elbasanllinjtë, ku mbi 57% e tyre duan të emigrojnë dhe po në këtë masë, kanë dëshirë të ikin nga Shqipëria edhe qytetarët e Tiranës. Kryeqyteti, i cili ka të ardhurat për frymë mbi mesataren kombëtare dhe ofron mundësi më të larta jetese, renditet i treti në 12 qarqet e vendit për potenciale të larta të emigrimit.
Anketa ka evidentuar se duan të emigrojnë 56% e beratasve, 54.8% e lezhjanëve, 52.7% e fierakëve, 51.6% e durrsakëve dhe 50% e shkodranëve. Potencialet më të ulëta për emigrim në raport me mesataren kombëtare u vunë re në Qarkun e Dibrës me 21.7%, në Gjirokastër me 23.2%, në Korçë me 40.7% dhe në Kukës me 41.2%. Përqindja më e ulët e potencialeve për emigracion në këto qarqe reflekton zbrazjen e këtyre qyteteve nga migrimi i brendshëm dhe emigracioni i lartë që kanë pësuar në të shkuarën.
Në vitin 2007, kur profesor Gëdeshi bëri anketën për emigrimin potencial, gjeti se tendenca për t’u larguar ishte më e theksuar në të rinjtë e pakualifikuar dhe me nivel të ulët arsimor, kryesisht nga zona e varfra (Kukësi) dhe kufitare (Korça, Gjirokastra) të vendit ishin më të prirë të migronin. Kjo tendencë nuk vërehet në anketën e vitit 2018. Migrimi potencial është më i lartë nga qarqet Vlorë, Elbasan, Tiranë, Berat, etj., dhe më i vogël në qarqet e varfra (Kukës, Dibër) dhe kufitare të vendit (Korça, Gjirokastra).

Planifikojnë të ikin në tre vitet në vijim
Profesor Gëdeshi shpjegoi se potencialet e emigrimit nuk përkthehen në emigrimin real, pasi dëshirës për të ikur shpesh nuk i përgjigjen mundësitë. Të dhënat e anketës 2018 treguan se 17.2% e shqiptarëve të grupmoshës 18 deri në 40 vjeç ose 33.1% e atyre që shprehin dëshirën për emigrim mendojnë të ikin brenda vitit. Ndërsa 16.7% e shqiptarëve të kësaj grupmoshe, ose 32.1% e atyre që shprehin dëshirën për migrim, mendojnë të migrojnë brenda 3 viteve të ardhshme. Pjesa tjetër e emigrantëve potencialë shprehet se dëshiron të migrojë në harkun kohor të 10 viteve të ardhshme (16%) ose në më shumë se 10 vjet (0.7%).
Ndërsa pjesa që mbetet dhe që akoma nuk ka vendosur përfaqëson 18.1% të emigrantëve potencialë. Treguesi i dytë ose “të mundshëm për të emigruar”, krahas përfshirjes së të parit, lidhet edhe me mundësinë për të financuar udhëtimin, me ekzistencën e rrjeteve sociale në vendin e migrimit, me njohjen e gjuhës së vendit pritës në një nivel të caktuar dhe me informacionin e nevojshëm për këtë vend. Llogaritja e treguesit të dytë ose “të mundshëm për të emigruar”, tregon se rreth 7% e emigrantëve potencialë ose 3.6% e popullsisë së grupmoshës 18 deri 40 vjeç, mund të emigrojnë. Ky tregues është dukshëm më i ulët se dëshira për migrim dhe pa dyshim, i afrohet më shumë realitetit.
Ikin të rinjtë
Rezultatet e anketës tregojnë se përgjithësisht, dëshirojnë të emigrojnë të rinjtë dhe se dëshira për migrim ulet dukshëm në moshat pas të 40-ave. Ajo zbret në 43.7% për grupmoshën 18-50 vjeç, 35.9% në grupmoshën 18-60 vjeç dhe 30.3% deri në 70 vjeç. Shumë nga ata që mendojnë të migrojnë pas të 60-ave dëshirojnë bashkim familjar me fëmijët e tyre emigrantë, kryesisht në Greqi, Itali dhe në SHBA.
Studimi tregon se dëshira për emigrim kulmon në segmentin 27 deri në 30 vjeç. Të dhënat e anketës tregojnë se mesatarja e migrimit potencial për këtë segment të popullsisë shqiptare arrin në 71.2%. Ndërkaq, një krahasim i të dhënave të dy anketave tregon se në rast se në vitin 2007, potenciali migrator shqiptar kulmonte për grupmoshat 18 deri 25 vjeç, në vitin 2018 ai kulmon për moshat 27 deri në 30 vjeç.

Meshkujt largohen më shumë
Historikisht kanë emigruar meshkujt, por në vitet e fundit, përqindja e femrave që kanë emigruar dhe dëshirojnë të ikin është rritur. Sipas studimit, dëshira për të ikur mbetet më e lartë te meshkujt, me rreth 61.8%, ndërsa te femrat, 48.3%. Kjo lidhet me normat kulturore që ekzistojnë në Shqipëri dhe statusin e tyre civil, tha profesor Gëdeshi. Përgjithësisht, migrimi shqiptar është dominuar nga meshkujt, ndërsa femrat pasonin në një periudhë të mëvonshme nëpërmjet bashkimit familjar ose martesave. Pak më shumë se gjysma (51.7%) e atyre që dëshirojnë të migrojnë janë të martuar dhe 47.6% janë beqarë.
Dëshira për migrim është dukshëm më e lartë tek meshkujt e pamartuar, 64.6% se sa tek ata të martuar me rreth 35.4%. Kjo shpjegohet me faktin se meshkujt e pamartuar janë më të pavarur dhe të lirë për të migruar, kurse meshkujt e martuar duhet të marrin në konsideratë familjen (gruan dhe fëmijët) për të cilët ata janë përgjegjës. E kundërta ndodh me femrat. Migrimi potencial është më i ulët për ato që nuk janë të martuara dhe më i lartë për ato që janë të martuara. Kjo shpjegohet me faktin se femrat e pamartuara kanë mundësi të limituara të emigrojnë në mënyrë të pavarur. /Monitor/

Exit mobile version