Prokuroria e Sarandës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq ish-drejtoreshën e ASHK, Aida Demi, si edhe dy specialistët, Ermen Stroka dhe Erald Lika të akuzuar për ‘Shpërdorim detyre’.
Sipas prokurorisë, ish-drejtoresha e Kadastrës dhe 2 specialistët kanë lejuar legalizimin e një objekti katër kate në favor të një shtetasi i cili ka përdorur dokumenta të falsifikuara.
Ndaj dy specialistëve, Gjykata Sarandës ka caktuar ditën e djeshme, 13 maj, masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa ndaj ish-zyrtares për shkak të statusit të saj “nënë me fëmijë nën tre vjeç” është caktuar masa e sigurisë “detyrim për paraqitje” në policinë gjyqësore dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për “tjetërsimin e një truall me sipërfaqe 1000 m2 dhe godine katër kate me sip ndërtimi për banim 1359 m2 dhe me sip 1056 m2 aktivitet social ekonomik”.
Kjo godinë disponohej dhe jepej me qira prej vitesh nga pronarët e vërtetë një subjekti të njohur tregtar në të gjithë teritorin e vendit i cili ushtronte aktivitet edhe në periudhën kur janë kryer procedurat e legalizimit.
Njoftimi i Prokurorisë:
Lejuan legalizimin e një objekti 4-kate me dokumente të falsifikuara, Prokuroria Sarandë dërgon në gjyq ish-drejtoreshën e ASHK dhe dy specialistët për ‘Shpërdorim detyre’
Pas hetimeve disa mujore Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ka mbyllur hetimet duke proceduar penalisht ish-drejtoreshen e ASHK-SË Sarandë, A.D., nën akuzë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Për të njëjtën vepër penale akuzohen edhe dy ish-specialistet e ASHK Sarandë, E.S. dhe E. L., të cilët me veprimet e tyre të kundraligjshme kanë lejuar legalizimin e një objekti katër kate në favor të një shtetasi i cili ka përdorur dokumenta të falsifikuara.
Ndaj shtetasve më sipër, me vendimin nr 113, datë 13.5.2024, pas kërkesës së organit të akuzës, është caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, masa e sigurise “arrest në shtëpi” ndërsa ndaj ish-drejtoreshes së ASHK Sarandë, për shkak të statusit të saj “nënë me fëmijë nën tre vjeç” është caktuar masa e sigurisë “detyrim për paraqitje” në policinë gjyqësore dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” është caktuar edhe ndaj shtetasit G. H., si personi që ka përfituar padrejtësisht nga procedura e legalizimit dhe që dyshohet se ka përdorur dokumenta të falsifikuara.
Nga këto veprime të kundraligjshme të specialiteve dhe ish-drejtoreshes së ASHK Sarande, është tjetërsuar pasuria (Truall me sipërfaqe 1000 m2 dhe godine katër kate me sip ndërtimi për banim 1359 m2 dhe me sip 1056 m2 aktivitet social ekonomik).
Kjo godinë disponohej dhe jepej me qira prej vitesh nga pronarët e vërtetë një subjekti të njohur tregtar në të gjithë teritorin e vendit i cili ushtronte aktivitet edhe në periudhën kur janë kryer procedurat e legalizimit
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, po vijon hetimet edhe për fakte të tjera në ngarkim të zyrtarëve lokale të përfshire në paligjshmeri në ushtrim të detyrave shteterore.
Shkarkimi nga detyra i ish-drejtoreshës së Kadastrës
Aida Demi u shkarkua nga detyra si drejtoreshë e Kadastrës në 12 Janar 2024, post të cilin e ka mbajtur nga shtatori i vitit 2021.
Shkak i shkarkimit dyshohet se është bërë shkelja e dispozitave në fuqi gjatë ushtrimit të detyrave funksionale dhe vjen një ditë pasi në një emision investigativ u denoncua fakti sesi familja e saj ka përfituar tokë që më parë ka qenë det.
“Hoteli buzë detit i ndërtuar nga familjaret e Aida Demit mbi një truall të blerë me proces privatizimi në vitin 1992, gllabëroi një pjesë të konsiderueshme të bregut të detit, pjesë që u mbush me inerte dhe u kthye në tokë.
Me një kontratë shitblerjeje në 5 Korrik 2019, Ministria e Financave ia shiti atë familjes Demi duke e kthyer detin në tokë. Pas vetëm 4 ditësh, familja Demi merr certifikatën e pronësisë jo për 600 m2 sa bleu, por për 1325 m2.
Më pas, në vitet 2020 dhe 2021 dhe 2022, familja e Aida Demit ka marrë disa leje për ndërtimin e një objekti të ri dhe shtesë katesh për objektin ekzistues. Emisioni “Stop” ka mësuar se Aida Demi ka legalizuar dy kate pa leje të një objekti, për të cilat ka pasur urdhër prishjeje nga Bashkia dhe INUK”, thuhet në emisionin investigativ ‘Stop’.