AIDA, agjencia që miraton statusin e investitorit strategjik, ka publikuar disa ditë më parë vendimet për investitorët e rinj që do të ndërtojnë në vendin tonë.
Vendimet, edhe pse janë marrë më herët, u publikuan vetëm pas sekuestrimit që SPAK bëri në pronën e Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres Olta Xhaçka, i cili është nën hetim, pasi dyshohet se e ka përfituar statusin e investitorit strategjik pas tjetërsimit të 5512 metër2 tokë në Gjilekë.
Mes projekteve të reja për investime janë edhe ndërtimi i parkut fotovoltaik në Tropojë, plantacionet me mollë dhe luleshtrydhe, dhe ndërtimet në Jalë dhe Gjilekë.
Por kush janë investitorët e rinj strategjikë dhe cilat janë projektet e tyre:
SOLEIL & SEA, me pronarë Endri Mingollari dhe Ardit Bajraktari, kanë përfituar statusin e investitorit strategjik për projektin e investimit “JALA ENTERTAINMENT PARK”. Projekti strategjik parashikon realizimin e një kompleksi turistik i cili do të zhvillohet në Zonën Kadastrale 3844, në Jalë, Vuno, Himarë. Përgjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i të punësuarve parashikohet të jetë 620, ndërsa vlera e investimit parashikohet të jetë rreth 72,000,000 euro.
DAJTI EKSPRES, me pronarë Miranda Malo, Perla Malo, Migena Malo, Enklajd Malo dhe Hauard Malo, do të ndërtojë projektin e investimit “Dajti Express Resort”. Projekti i investimit strategjik synon ri-jetëzimin e ish Kampit të Pionerëve në një hotel malor me 5 yje, që do të ofrojë shërbime mikse në fushën e turizmit, me kapacitet total prej 77 (shtatëdhjetë e shtatë) dhomash, restorante, bare, SPA etj. Projekti zë një sipërfaqe totale rreth 80,000 m², në fshatin Linzë në Tiranë. Vlera e investimit të projektit të investimit “Dajti Express Resort” parashikohet të jetë 12,000,000 euro dhe pritet të punësohen 84 persona.
ERALB INVEST 2, me administrator Pëllumb Kallaba, ka marrë aprovimin për projektin e investimit “Parku i Energjisë Diellore 190 Mw dhe të Erës 636 Mw, Tropojë”. Projekti i investimit strategjik synon të realizojë një investim kompleks të përbërë nga një park i energjisë së erës me kapacitet 636 MW, ku do të instalohen 100 turbina ere si dhe nga një park fotovoltaik me kapacitet 190 MW, ku do të instalohen 418 500 panele diellore. Vlera e investimit parashikohet të jetë 1.2 miliardë euro dhe projekti synon të realizohet në një sipërfaqe prej 384.6 Ha dhe shtrihet në fshatrat Viçidol, Berishë, Luzhë dhe Paç, Bashkia Tropojë.
GREEN NATURE 17, me zotërues Joana Karaj, është shpallur investitor strategjik për projektin e investimit “Plantacioni Mollë dhe Luleshtrydhe Sheqerasi”. Subjekti propozon që kultivimi i kulturës së mollës, të realizohet në një sipërfaqe prej afërsisht 140 ha me variacionet si Pink Lady & Fuggi dhe kultivimin e kulturës së luleshtrydhes, të realizohet në një sipërfaqe prej 40 ha. Sipërfaqe totale e synuar është rreth 180 ha. Vlera e investimit të projektit parashikohet të jetë 3,125,538 euro dhe pritet të punësojë 180 persona.
GJIKURIA, me administrator Florenc Gjikurian, për projektin e Investimit “White Roads Hotel”, ka përfituar sipërfaqe shtesë pronë shtetërore prej 22,276 metër katrorë, për të përmirësuar hapësirat dhe funksionalitetin e këtij projekti në Gjilekë të Himarës. Projekti i investimit strategjik parashikon ndërtimin e një resorti, që do të ketë në përbërje një hotel dhe struktura akomoduese me kapacitet total prej 150 (njëqind e pesëdhjetë) njësish, restorante, bare, SPA etj, dhe synon të punësojë rreth 100 persona.
Aplikimet për investitorë strategjikë që u refuzuan:
NATYRA ENERGY, për projektin e investimit “Impianti Agrivoltaik 120 MW”. Arsyeja: Projekti i investimit bie ndesh me përcaktimet e Ligjit Nr. 111/2012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, pasi ai propozohet të zhvillohet në zonën e bregut të lumit Seman, ndërmjet vijës ujore të lumit dhe argjinaturës gjatësore. Projekti, gjithashtu, mbivendoset me projektin e Gazsjellësit TransAdriatik (TAP), në gjurmën e të cilit janë të ndaluara ndërtimet e të gjitha llojeve, nga secila anë e aksit qendror të tubacionit, që është zona e sigurisë.
V O R T E K; METROPOL BUSINESS CENTER, për projektin e investimit “Beryl Resort”. Arsyeja: Projekti prek destinacione prone të kufizuara në Planin e Përgjithshëm Vendor dhe pjesërisht tipologjia e strukturave të propozuara nuk përputhet me parashikimet e legjislacionit të turizmit.
NOA ENERGY TRADE, për projektin e investimit “Për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (TEDA) Spitallë dhe instalimin e parkut fotovoltaik me fuqi 40.54 MWP, Durrës”. Arsyeja: Në zonën në fjalë aktualisht ka plane të tjera prioritare të ministrisë përgjegjëse për arsimin, ministrisë përgjegjëse për ekonominë dhe Bashkisë Durrës.