Pas 15 urdhërarresteve të lëshuara nga SPAK një ditë më parë lidhur me aferën e inceneratorit të Tiranës, janë arrestuar Taulant Tushe, Namik Simixhiu, Bledar Karoli, Jetmir Llapaj.
Ndërkohë është shpallur në kërkim Erjon Murataj, i cili mësohet se ndodhet jashtë vendit. Po ashru janë ekzekutuar edhe masat me arrest shtëpie për për Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Sidita Tola.
Lajmi konfirmohet nga gazetarja Klodiana Lala.
Ndërkohë sërish rëndojnë akuzat ndaj ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, të dënuar për korrupsionin në inceneratorin e Fierit, të cilëve u është komunikuar masa në qeli.
GJKKO ka dhënë dje masat e arrestit në burg për Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Erjon Muratajn, Bledar Karolin, Namik Simixhiu, Jetmir Llapaj.
Ndërsa është vendosur masa e “Arrestit në shtëpi” për Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Sidita Tola.
Kujtojmë së më 1 gusht, Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK firmosi vendosjen e sekuestros ndaj inceneratorit të Tiranës. Hetimet kanë nisur në kuadër të procedimit penal për veprat penale të “Mashtrim me pasoja të rënda” në bashkëpunim, “Shpërdorim i detyrës”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.