Emri Edi Rama shkruhet në koshat e kryeqyteteve të Evropës

Kundër ligjit të importit të plehrave në Shqipëri nuk u protestua vetëm në Tiranë, por edhe në qytete e kryeqytete të Evropës kudo ku jetojnë shqiptarë. Një 32-vjeçare nga Vlora që jeton në Belgjikë ka shkruar një letër për Kryeministrin Edi Rama në shenjë proteste kundër importit të plehrave, në pamundësi për të qenë në protestën e djeshme në Tiranë. Në letrën dërguar “Nismës Thurrje”, vajza fajëson Edi Ramën për largimin e shqiptarëve nga vendi dhe thotë se në postet kyçe të qeverisjes janë vendosur persona të paaftë dhe të korruptuar.
Letra e 32-vjeçare që jeton në Belgjikë
Unë quhem Eliza, jam një 32-vjeçare nga Vlora, kam kryer studimet universitare në Itali dhe prej një viti jetoj në Belgjikë. Duke qenë se e kam të pamundur të jem në protestën e organizuar në Tiranë kundër importit të plehrave, kjo është protesta ime modeste në mbështetje të Shoqërisë Civile në Shqipëri! Ekspozitë me titull: “Kur të shkruhet emri në koshat e Evropit”. Duke qenë se Kryeministri ynë i ka qejf ekspozitat nëpër botë unë po i dedikoj një të vogël, por të vlefshme, mjaftueshëm për të kuptuar që nuk mund të trajtojë të rinjtë shqiptare si injorantë dhe sharlatanë. Për të rinjtë shqiptarë: – Mos lejoni askënd t’ju thotë që ju nuk vleni, që jeni injorantë e dembelë. Mos lejoni askënd t’ju devijojë nga objektivi që keni vendosur. Mos kini frikë të kërkoni të drejtat tuaja! Respektoni idetë politike të njëri-tjetrit, por kujtohuni “Shëndeti është parësor”. Organizatat e strukturuara kriminale (Mafjet) kanë vetëm një objektiv “Pushtenin dhe pasurimin me çdo mjet”. Mos harroni! Mafjet luftohen vetëm duke ndenjur të bashkuar! Për AKIP: Ju falënderoj përzemërsisht për punën tuaj të palodhur gjatë gjithë këtyre viteve! Mos u dorëzoni! Për Kryeministrin shqiptar z. Edi Rama: – Ke dështuar! Ti je shkaktari i largimit të të rinjve nga Shqipëria! Ti me qeverisjen tënde të dështuar ke krijuar një shtresë skllevërish “azilantët” që janë në rrezik të vazhdueshëm nga mafjet në shtete të ndryshme të Evropës. Të rinjtë shqiptarë kanë braktisur familjet e tyre dhe luftojnë për bukën e gojës dhe sigurimin e një strehe ku të kalojnë natën, pa mbështetje, pa dokumente, pa sigurim shëndetësor në dorë të shfrytëzuesve të punës në të zezë, pa të ardhme. Ti u vodhe shpresën! Ti je përgjegjës që Vlora ime e bukur po vdes dita-ditës pak nga pak! S’kanë ngelur më të paaftë dhe të korruptuar pa u vënë në krye të administratave. Ti sot kërkon të helmosh vendin tim të dashur duke lënë një shteg ku mafja të përfitojë! Ti sot nuk je më në shërbim të popullit! Ti sot votën time nuk e përfaqëson! Unë nuk do rri duar kryq! Unë Protestoj!
P.S: (Dërgo Erionin të të fshijë emrin nga koshat e Evropit…….)
Faleminderit
Eliza Kota
Bruxelles

Exit mobile version