Bordi elektoral i shtetit të Illinoit vendosi të martën që ta mbajë emrin e zotit Trump në fletëvotime, një javë para se Gjykata e Lartë amerikane të dëgjojë argumentet nëse roli i tij në trazirat e 6 janarit gjatë sulmit në Kapitol e skualifikon atë nga presidenca.
Vendimi i bordit vjen pasi një ekspert i caktuar nga bordi, një ish-gjyqtar republikan, arriti në përfundimin e se “kishte prova të mjaftueshme” që tregojnë se zoti Trump është i papërshtatshëm për postin e presidentit për shkak se shkeli një klauzolë në kushtetutë sipas së cilës ata që “përfshihen në rebelim” ndalohen të ushtrojnë funksione publike. Por eksperti rekomandoi që bordi t’ia lërë vendimin mbi këtë çështje gjykatave.
Dhe kjo do të ndodhë ndërsa pritet që Gjykata e Lartë pritet të dëgjojë javën e ardhshme argumentet në apelin e rastit nga zoti Trump të vendimit të Kolorados që vendosi që emri i tij të hiqet nga fletët e votimit në zgjedhjet paraprake në atë shtet.
Gjykata më e lartë e vendit asnjëherë nuk ka marrë vendim për një rast që ka të bëjë me pjesën e tretë të Amendamentit të 14, të miratuar në vitin 1868 për të mos lejuar ish-pjesëtarët e konfederatës që të ktheheshin në pushtet pas Luftës Civile, por që rrallë është përdorur që atëherë.
Disa ekspertë ligjorë thonë se kjo pikë është e vlefshme në rastin e zotit Trump për shkak të rolit të tij në përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe nxitjes së përkrahësve të tij për të hyrë me forcë në Kapitol pasi ai humbi zgjedhjet ndaj Presidentit demokrat Joe Biden.
Mbi dhjetë raste të ngjashme po shqyrtohen në gjithë vendin, por vetëm rasti i Kolorados arriti në gjykatë.
Edhe në Maine sekretarja demokrate e atij shteti ka marrë vendim kundër zotit Trump, por vendimi i saj është pezulluar deri në vendimin e Gjykatës së Lartë.