Gazetari Xhevahir Zhabina dha detaje nga hetimet e dosjes së inceneratorëve në studion e MCN Economy. Zhabina tha se mes të dhënave që kanë dalë nga kompjuteri i Klodian Zotos janë edhe ato që ngrenë dyshime për përfshirjen e ministrit aktual të Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një kontratë abuzive për matësit e ujit, gjatë kohës kur ai drejtonte Bashkinë e Korçës. Zhabina tha se sa i përket indicieve për nisjen e një hetimi, Peleshi rezulton në një pozicion të ngjashëm me atë të ish-zv.kryeministrit Arbeh Ahmetaj.
SPAK këtë dosje e ka nisur nga fillimi. Prej vitit 2011, kur PS ishte ende në opozitë, biznesin Mërtiri dhe Zoto e kanë nisur më herët se ndërtimi i inceneratorëve. Sipas SPAK, ish-zv.kr.ministri Arben Ahmetaj, ka krijuar lidhjet mes tyre dhe një sërë kryebashkiakësh. Në dosje renditen një sërë bashkish. Një pjesë të mirë të dosjes e zë bashkia e Korçës, që në atë kohë drejtohej nga Niko Peleshi.
Në 2013, kanë marrë 3.5 milionë euro tender nga Bashkia e Korçës për sahatët e ujit. Oreksi i tyre shtohej pasi kërkonin projekte të reja dhe flitet për parqet fotovoltaike.
Peleshi është pyetur në mars në lidhje me këtë tender. Ai ka thënë se ka qenë në Itali për të parë teknologjinë por shumë detaje thotë se nuk i mban mend. Ndërkohë që është thënë që udhëtimi është paguar nga Klodian Zoto, Peleshi nuk e pranon këtë. Çështja është se Zoto dhe Mërtiri e kanë fituar këtë kontratë. A ka ndikuar ai udhëtim, kjo mbetet të vërtetohet nga hetimi. Ka kontradikta mes asaj që thotë Peleshi dhe ish-drejtori i Ujësjellësit për pagesat e udhëtimit. Në rastin e Ahmetajt, nga fatura e një hoteli të paguar nga Zoto nisi një hetim. Ndoshta edhe në rastin e Peleshit jemi para një rasti të tillë.
Në kompjuterin e Zotos janë gjetur të dhëna të vlefshme dhe lidhen ndoshta edhe me hetime të tjera.
Nga kompjuteri i Zotos është shkuar deri në vitin 2011, kur ndikimi i Ahmetajt ishte i madh te kryetarët e majtë. Zoto dhe Mërtiri shfaqen shumë të interesuar në sjelljen e disa matësve të ujit. Një nga bashkitë që ka bërë tender është ajo e Korçës që drejtohej nga Niko Peleshi. SPAK ka fraksione të hetimeve të tij dhe mund të ketë një të tillë edhe për këto tendera. Nëse SPAK ka gjetur transaksione, atëherë mund të flasim për korrupsion dhe pastrim parash.
Kjo çështje nuk mbyllet vetëm me Arben Ahmetaj. Deri në këto momente, përgjegjësi penale nuk ka asnjë zyrtar apo ish-zyrtar. Është marrë në pyetje Gjiknuri, Peleshi, por në thelb angazhimi i Peleshit ka të bëjë me tendera kur ka qenë kryetar i Bashkisë së Korçës.