Ëndrra ambicioze e presidentit të Koresë së Jugut

Afrimi i shpejtë midis Koresë së Veriut dhe të Jugut është meritë e Presidentit koreanojugor Moon, i cili beson fort në “ndryshimin përmes afrimit” sipas modelit gjerman, shkruan Alexander Freund. Fytyra të habitura ose tmerr e mosbesim: në korrikun e kaluar, Presidenti i sapozgjedhur i Koresë së Jugut i habiti të gjithë me fjalimin e tij të Berlinit. Me ndërgjegje e zgjodhi ai kryeqytetin gjerman të ndarë për një kohë të gjatë për të mbajtur fjalimin e tij parimor për politikën e tij të ardhshme ndaj Koresë së Veriut: ai beson në një “ndryshim përmes afrimit”: Gjermania ka treguar se megjithë kundërshtitë nuk duhet dyshuar asnjëherë për pajtimin dhe ribashkimin. Fjalimi i tij i Berlinit shkaktoi habi dhe hutim në publik. “Ëndërrimtar!”, “Vizioner!” ose “Tradhëtar!” pëshpëritën disa koreanë të moshuar midis duartrokitjeve dashamirëse. Sepse avokati i të drejtave të njeriut, në dallim nga qeveria e mëparshme konservatore është i fokusuar te dialogu, çarmatimi dhe paqja. Koreja e Jugut nuk synon kolapsin ose gëlltitjen e Veriut, por synon një afrim gradual. Po qe nevoja me hapa të vegjël, me masa që krijojnë besim. Kryesorja të nisin sërish bisedimet. Bëhet fjalë për një bashkëpunim të ngushtë ekonomik dhe për vizita familjare, Koreja e Veriut mund të merrte pjesë në Lojërat Olimpike Veriore dhe ai ishte i gatshëm të takonte edhe Kim Jong Un-in, tha Presidenti i Koresë së Jugut. Këtë gatishmëri për dialog Moon e sinjalizoi pikërisht në një kohë, në të cilën Presidenti i ri i SHBA Trump dhe pushtetmbajtësi i Koresë së Veriut po e mbulonin njëri-tjetrin me kërcënime reciproke dhe me sharje. Sanksionet pasuan testin raketor, fjalime të zjarrta në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, rezoluta, çmenduria krejt normale, të cilën ne e përjetojmë prej dekadash në përballjen me Korenë e Veriut.

Politika e Moonit tregon papritur efekt
Askush nuk donte të besonte me të vërtetë në suksesin e një dore të zgjatur. Vetë Moonit të gatshëm për dialog ju desh të kërkojë pas provokimeve të vazhdueshme koreanoveriore një ashpërsim të ri të sanksioneve. Por papritur, ky kombinim i ashpërsisë dhe i gatishmërisë parimore për bisedime tregoi efekt: në fjalimin e tij për vitin e ri, pushtetmbajtësi i Koresë së Veriut u tregua papritur i gatshëm që të dërgojë një delegacion në Lojërat Dimërore Olimpike në Pyeongchang. Kështu që papritur pati lëvizje në marrëdhëniet e bllokuara, fillimisht takime të ngurta të delegacioneve ushtarake, ringritja e një linje direkte telefonike, pastaj hyrja e përbashkët në stadiumin olimpik, ekipe të përbashkëta sportive, ofensiva e magjepsjes e motrës së Kimit. Pak ditë më vonë, Kimi e priti personalisht për darkë delegacionin e nivelit të lartë nga jugu dhe pas kësaj pasoi sensacioni i vogël: do të ketë një takim të përbashkët të Kimit dhe Moonit, ndoshta që në prill. Dhe më tepër: gjatë fazës së dialogut, Koreja e Veriut madje do të heqë dorë nga testet e reja raketore. Supozohet se mund të flitet edhe për një çarmatim bërthamor, sepse nuk ka më shkak për programin bërthamor që shkakton debate, kur nuk ka më kërcënime ndaj Koresë së Veriut dhe kur garantohet siguria e udhëheqjes së Koresë së Veriut, bëri të ditur Koreja e Veriut.

Tani duhet të pasojnë veprimet e SHBA
Presidenti i SHBA e komentoi gatishmërinë për dialog si gjithmonë me Twitter. “Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shkroi ai përmes twitterit. Ndoshta po mblidhen “shpresa të gabuara”. Por SHBA janë të gatshme “që të ecin fuqimisht në çdo drejtim”. Natyrisht, kërkohet kujdes, Koreja e Veriut vazhdon të mbetet e pallogaritshme në veprimet e saj. Por dora e zgjatur e Moonit arriti më shumë se vringëllimi i shpatave midis Trumpit dhe Kimit muajt e fundit. Ky afrim nuk është meritë e një Trumpi që dërgon twittera dhe as e një Xi Jinpingu që po bëhet gjithnjë e më i fuqishëm në Kinë. Natyrisht, ishin vetëm sanksionet më të forta ato që e detyruan të kthehej në tryezën e bisedimeve Kimin, por ai ka nevojë edhe për partnerë që të jenë të gatshëm për negociata. Tani Mooni duhet të bindë fuqinë mbrojtëse SHBA që të sillet po ashtu me tolerancë dhe për shembull që ta shtyjë sërish manovrën e përbashkët, të shtyrë një herë, midis forcave të armatosura koreanojugore dhe atyre amerikane te dera e shtëpisë e Kimit. Vetëm me dialog mund të pengohet një përshkallëzim. Të gjithë duhet të lëvizin nga pozicionet që kanë, sepse një konflikt i hapur do të kishte vetëm të humbur – para së gjithash në Kore.

Exit mobile version