Ëndrra amerikane vazhdon

Shkëlzen Gashi vazhdon ta jetojë ëndrrën amerikane. Mesfushori i kombëtares është vlerësuar si lojtari i muajit tetor për ekipin e Kolorado Rapids. 28-vjeçari u shpall fitues me votat e tifozëve në Facebook dhe Twitter, duke mposhtur Kevin Dojlin dhe Dominik Baxhi. Kolorado fitoi tri ndeshje, barazoi një dhe humbi po një gjatë muajit të fundit të sezonit të rregullt dhe Gashi i luajti si titullar të pesta ndeshjet duke shënuar dy gola.
Pak ditë më parë ai u vlerësua nga tifozët si lojtari më i mirë i sezonit, ndërsa është në garë për çmimin e debutuesit të vitit dhe golit më të bukur në MLS. Për këtë të fundit futbollisti kuqezi i ka kaluar dy fazat e para.
Shkëlzen Gashi e mbylli sezonin e rregullt me nëntë gola dhe katër asistime, duke qenë njeriu kyç në kualifikimin e Rapids në play off. Kundërshtari i radhës do të jetë Los Anxhelos Galaksi, me ndeshjen e parë që do të luhet më 30 tetor në Kaliforni dhe të kthimit më 6 nëntor në Kolorado.

Exit mobile version