Është Paulo Dybala dëshira e madhe e Barcelonës në merkato. Ylli argjentinas i Juventusit pëlqehet shumë nga drejtori sportiv i blaugranave për merkaton jashtë Spanjës, Ariedo Braida, megjithatë shanset që 22-vjeçari të largohet nga bardhezinjtë gjatë kësaj vere janë pothuajse minimale. Në një intervistë për mediat italiane, Braida ka zbuluar se është pikërisht Dybala lojtari, të cilin dëshiron ta shohë një ditë të mbajë veshur fanellën e Barcelonës. Sipas drejtorit sportiv të Barçës, argjentinasi është një talent i madh dhe i ka të gjitha mundësitë për t’u shndërruar në një nga futbollistët më të mirë të botës.
Barcelona prej kohësh është vendosur në ndjekje të një sulmuesi për të kompletuar repartin e avancuar, por pasi hoqi dorë nga Paul Pogba, Juventusi nuk mund të largojë një tjetër beniamin të tifozëve dhe gjasat që Dybala të transferohet në “Camp Nou” gjatë kësaj merkatoje janë me të vërtetë të pakta. Argjentinasi për momentin është i lumtur te Juvja dhe dëshiron të qëndrojë gjatë në Torino. Sipas Ariedo Braidas pavarësisht largimit të francezit Paul Pogba, Juventusi ka ndërtuar një skuadër shumë të fortë dhe i ka të gjitha mundësitë për të triumfuar edhe në Uefa Champions League në sezonin e ri.
Juventusi është përforcuar shumë në merkato, por Allegri nuk kërkon të jetë shumë euforik, e ka preferuar të qëndrojë me këmbë në tokë. “Është formuar një grup i shkëlqyer, por kjo nuk do të thotë që gjithçka e kemi të sigurtë tani dhe fitoret do të vijnë pa mund”, ka thënë ai për mediat italiane. “Aktualisht jemi në kuotën e zero pikëve, ashtu si të gjitha skuadrat e tjera”. Sa i përket shitjes së Pogba-së, një prej lojtarëve më të mirë të bardhezinjve gjatë sezonit të kaluar, Allegri është shprehur se “ka qenë një operacion i jashtëzakonshëm në nivel ekonomik. Paul Pogba është rritur shumë dhe mund të përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen. Ndaj dhe i uroj gjithë të mirat, e ndoshta që të përballemi bashkë në Champions League”.
Juventusi duket se i ka kompletuar të gjitha repartet për të qenë kompetitiv tashmë edhe në Europë, duke parë se në Itali e dominon Serie A prej disa sezonesh. “Besoj se gjithçka nisi përpara 5 vitesh dhe vit pas viti ky ekip është përforcuar ndjeshëm, shpjegon Allegri. Juventusi duhet të jetë ende një skuadër kompetitive, për të luftuar në të gjitha frontet, pasi vetëm në rivalitet e sipër të gjithë ne mund të japim diçka më shumë për të arritur objektivat. Të fitojmë titullin e gjashtë në Itali? Do të ishte diçka që do të na fuste në histori dhe do na kthente në legjendë, por duhet të përmirësojmë ecurinë edhe në Champions, e pse jo t’i shkojmë deri në fund. Këto vitet e fundit kemi mundur të shkojmë deri në finale, e kemi luajtur edhe në 1/8-at kundër Bayern Munchen. Por të mos harrojmë Superkupën dhe Kupën e Italisë”.