Kur mbeten ende 3 javë nga hapja zyrtare e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama ka nisur të artikulojë tezat e tij në kërkim të një mandati të katërt në qeverisje. Të enjten, Rama publikoi në rrjetet e tij sociale një poster me numrin 5, që tregon renditjen e Partisë Socialiste në fletën e votimit, duke kërkuar votat në këmbim të premtimit për “pasaportën europiane” ndaj shqiptarëve.
“Me thjesht një votë për mua dhe PS më 11 maj, çdo prind ka në dorë t’u japë fëmijëve të vet pashaportën e qytetarit shqiptar të Bashkimit Europian, e të mos i lerë të rriten si qytetarë të dorës së dytë në mes të Europës,” propagandoi Rama në Facebook, duke përdorur si simbol edhe flamurin e Bashkimit Europian.
Duke e përdorur procesin e integrimit në BE si kartë elektorale, kryeministri Rama u bën thirrje qytetarëve që të votojnë Partinë Socialiste, si e vetmja forcë sipas tij që mund ta fusë vendin në BE, duke premtuar në mënyrë të njëanshme edhe përfundimin e negociatave në vitin 2027.
Procesi i integrimit është një proces më shumë teknik dhe varet nga përmbushja e kritereve që i vendosen qeverisë shqiptare nga Brukseli. Aktualisht, Shqipëria ndodhet në fillim të rrugës për anëtarësim, pasi në dhjetor u mor vendimi për çeljen e negociatave për grup-kapitujt e parë, të ashtuqujturat “Themeloret”, që përfshijnë sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike.
Ky proces i zgjatur prej dy dekadash që nga marrëveshja e Stablizim-Asociimit në vitin 2005, është penguar ose ka mbetur pezull në të shumtën e rasteve për shkak të konflikteve të brendshme politike, mungesën e vullnetit për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe mosrealizimit të zgjedhjeve sipas standardeve demokratike.
Përdorimi politik i integrimit
Kryeministri Edi Rama erdhi në pushtet në vitin 2013 me premtime të tjera, të cilat lidheshin me luftën kundër korrupsionit, shëndetësinë falas, përmbylljen e procesit të legalizimeve apo taksën progresive dhe forcimin e shtetit. Ai i fitoi zgjedhjet pas një koalicioni me Ilir Metën, ish-aleatin e Berishës në qeveri, por 4 vite më vonë në 2017-ën u kërkoi votat shqiptarëve për të qeverisur i vetëm, duke e akuzuar aleancën me Metën se kishte përdorur pushtetin si një ‘tepsi’ për korrupsion.
Ndërsa në vitin 2021, Rama përdori reformën në drejtësi si kalin e betejës elektorale, e cila sapo kishte nisur të jepte frytet e para pas ngritjes së institucionet e reja të drejtësisë.
Sot kur bilanci i kësaj reforme ka çuar pas hekurave për korrupsion disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ramës në ekzekutiv dhe së fundmi dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, kryeministri ka zgjedhur t’u ofrojë shqiptarëve “ëndrrën europiane”.
Në fushatën elektorale të vitit 2013, ish-kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha u fut në zgjedhje me një tezë të ngjashme dhe me avantazh vendimin e Bashkimit Europian për të liberalizuar vizat me Shqipërinë. Por Berisha i humbi zgjedhjet.
Sipas ekspertit të politikës, Ervis Iljazaj, pedagog i Shkencave Politike pranë Universitetit Europian të Tiranës, procesi i integrimit gjithmonë është përdorur nga politika shqiptare gjatë tranzicionit, sepse klasa politike luan me ëndrrën e shqiptarëve për t’u bërë qytetarë europianë.
“Edhe pse procesi i integrimit ka qenë i gjatë, rraskapitës dhe shumë i vështirë, përsëri shqiptarët kërkojnë të jenë pjëse e BE me të drejta të plota. Në këtë kuptim, edhe kësaj here procesi i integrimit po përdoret për interesa politike,” tha ai për BIRN.
Por, sipas Iljazajt, kartat e integrimit që po luan Rama nuk janë përcaktuese për konsensusin popullor. Ai beson se ka disa arsye se pse Rama krejt papritur e ktheu këtë proces në një tezë elektorale pas 12 vitesh në pushtet, që janë të lidhura me mungesën e ideve të reja të tij dhe me një faktor gjeopolitik që favorizon integrimin e Shqipërisë.
“Tashmë që Shqipëria ka çelur negociatat, konteksti gjeopolitik është i favorshëm dhe Rama kërkon ta përdorë si meritë të tij integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Iljazaj, duke theksuar edhe kontradiktën në qëndrimet e kryeministrit, të tipit:“kur Shqipëria merrte vendime negative nga BE ishte faji i Europës, ndërsa tashmë që integrimi europian ka shanse vërtet, kjo është meritë e Qeverisë”.
Iljazaj beson gjithashtu se Rama po e luan këtë kartë, pasi pas 12 vitesh në qeveri dhe me pushtet të plotë, nuk ka se çfarë të premtojë më. Nga ana tjetër, lojën politike me procesin e integrimit, ai e sheh si të dëmshëm për vetë procesin, i cili kërkon “bashkëpunim dhe jo konflikt”.
“Sigurisht që kjo qasje konfliktuale e politikës së brendshme ndikon në marrëdhëniet Shqipëri-Bruksel, pasi zyrtarët e BE kërkojnë një klimë bashkëpunuese për integrimin dhe jo përdorimin e kësaj çështje për arsye elektorale,” përfundoi Iljazaj./ Me shkurtime nga BIRN