Ëndrra Le Pen e vajzës së Berishës

Nga Albi Xhunga

Ne nuk mund ta dimë me siguri se nga është frymëzuar Familja për ta bërë pronë të trashëgueshme partinë e parë opozitare shqiptare. Mirëpo zor se iu ka shpëtuar fenomeni Le Pen, i cili tregon qartë se partia si pronë personale e një njeriu dhe pastaj si një pronë e trashëgueshme, përveç shteteve totalitare, mund të funksionojë fare mirë edhe në një vend demokratik. Sot kjo parti e ekstremit të djathtë ndodhet para portave të pushtetit në shtetin i cili krijoi dhe i ktheu në institucion të drejtat e njeriut. Marshimi i pandalshëm i Tubimit Kombëtar drejt pushtetit në shtetin më të rëndësishëm të Europës (Franca është ekonomia e dytë e Europës, por është fuqi bërthamore dhe antare e përhershme e KS) do të ketë pasoja serioze për Europën, BE-në dhe veçanërisht për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor, por kjo është një analizë tjetër.

Edhe Partia Demokratike, e cila lindi nga lëvizja studentore dhe nevoja për t’iu kundërvënë regjimit më të egër komunist të Europës, nga nevoja për t’iu dhënë shqiptarëve një alternativë të munguar për një gjysmë shekulli, u domestikua nga kryetari i saj, ish komunisti Sali Berisha. Ky fenomen që nisi me mocionistët, e vijoi me përjashtime, mbyllje karrierash, e deri me rrahje të kundërshtarëve të brendshëm duke përdorur grupin e gatshëm të përbërë nga elementë të krimit të organizuar, në fakt nuk ka mbaruar akoma. Ky fenomen do të mbarojë vetëm atëherë kur të jetë rrëzuar Familja, ose kur ndjekës i oborrit poshtë ballkonit të ketë mbetur vetëm Mul Noka.

Asnjëherë nuk i kam kuptuar zërat që i kanë bërë e i bëjnë thirrje Sali Berishës të tërhiqet. Njerëzit që mund të tërhiqen janë njerëz të lirë, sovranë në vendimet e tyre. Sali Berisha nuk është një i tillë. Thonë se po hëngre një lugë çorbë të prishur vjell gjithë jetën. Sali Berisha ka ngrënë tenxhere të tëra. Besoj se ka pak ligje në kodin penal shqiptar të cilat Sali Berisha nuk i ka shkelur. Mirëpo ky nuk është problemi i vërtetë. Njeriu që ka qenë dy herë president dhe dy herë kryeministër do ta kishte gjetur mënyrën të amnistonte veten duke u tërhequr. Madje besohet gjerësisht se kjo i është ofruar. Problemi i vërtetë është trashëgimia e tij biologjike. Mund të amnistosh një 80 vjeçar, por nuk mund të amnistosh të gjitha krimet e aferat korruptive të bëra gjatë mbretërimit të tij. Fjala vjen nuk mund të burgosësh ish ministrin e mbrojtjes dhe të falësh Zenin që nga korrespondenca del pronari real i Gërdecit. Nuk mund të burgosësh ndërtuesin Fatmir Bektashi dhe të falësh dhëndrin. Etj, etj, etj.
Kjo do ta diskreditonte që në embrion projektin amerikan për një reformë të vërtetë drejtësie në Shqipëri.

Sali Berisha i di të gjitha këto. Ndaj atij i mbetet vetëm një opsion. Të luftojë deri në fund, sado e pagjasë të duket suksesi i kësaj rezistence. Çfarë mund të humbë një burrë më shumë se liria e tij, dinjiteti i tij, e ardhmja e trashëgimisë së tij politike e biologjike dhe në fund edhe e pasurisë së tij? Ndaj Sali Berish është i dënuar të luftojë. Duke qenë se fuqi për luftë reale nuk ka, pasi përveç disa fanatikëve apo borxhlinjve e bashkëpunëtorëve në krim, nuk e ndjek më kush, atëherë lufta e tij është katandisur në pazar me kryeministrin, me të cilin kanë një hall të përbashkët që quhet SPAK.

Sali Berisha do ta kishte vazhduar këtë lojë sa të mundte. Por ka dy faktorë madhorë që e detyrojnë të kërkojë opsione të tjera për vazhdimësinë, sepse vazhdimësi dmth garanci për Familjen. Faktori i parë është mosha. Ai po i afrohet të tetëdhjetave dhe në këtë moshë zotërimi i të gjitha fakulteteve nuk ka asnjë garanci. Shembulli më i qartë është presidenti Biden. Faktori i dytë është pamundësia për të qenë kandidat për kryeministër për shkak se është i burgosur për korrupsion. Fabula se kryeministrin do ta vendosim pas zgjedhjeve, nuk ngjiti. Ndaj atij i duhej një opsion tjetër dhe duke mos pasur besim tek askush jashtë familjes, zgjidhja finale duket të jetë vajza e tij, Argita Malltezi Berisha. Pse vajzën dhe jo djalin mund të pyesë dikush. Përgjigjia është e thjeshtë. Djali duket se ka ca halle me SPAK dhe kjo kompromenton vazhdimësinë, i cili është dhe objektivi kryesor. Vajza nuk duket të jetë përfshirë direkt nëpër afera, të paktën deri tani.

Fakti se edhe vajza është person non gratta nuk ka pikë rëndësie. Misioni nuk është marrja e pushtetit, misioni është mbajtja peng e opozitës për të garantuar familjen.

Kjo skemë edhe mund të kishte funksionuar. Vetëm se ëndrra Le Pen e Argita Malltezi Berishës ka edhe disa probleme praktike. Marine është një përbindësh politik, e rritur nëpër beteja elektorale, ndërsa Argita i ka ndjekur betejat elektorale nga televizori. Marinë është një demagoge e fortë, ndërsa Argita ka artikulimin e grave të lagjes kur pinë kafe poshtë pallatit e flasin për politikë. Marine duhet të mbrojë vetëm populizmin e saj dhe të babait të saj, ndërsa Argita ka mision të vështirë. Asaj përveç populizmit të babait të saj, i duhet të mbrojë krimet e tij dhe korrupsionin e Familjes.

Exit mobile version