Energji falas deri në 200 kw për familjet në ndihmë ekonomike

Rama ka ndërtuar dy Shqipëri, atë të mjerimit për qytetarët dhe të luksit për qeveritarët. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me tregtarë dhe banorë të Rrëshenit. Basha u njoh me shqetësimet e tyre që nga largimet abuzive nga puna, taksat e larta, rënia e fuqisë blerëse etj. Një nga shqetësimet masive ishte energjia elektrike, çmimi i së cilës jo vetëm është rritur, por kërkohen detyrime, të cilat janë paguar një herë.
Ish-mësues: Unë jam i larguar i penalizuar vetëm se kam denoncuar zyrën arsimore në Mirditë për aferat që kanë bërë.
Basha: Çfarë denoncove?
Ish-mësues: Sot marrin mësues që japin gjuhë-letërsi pa arsim përkatës, jashtë profilit. Mësuesit që japin sot mësim abuzojnë me fëmijët me aftësi të kufizuara, që nuk ka qoftë edhe një dokument, nuk ekziston kund. Fëmijët e fshatit Peshqesh bëjnë 14 km në këmbë për të shku në Reps. Shkolla është mbyll në Shpal vetëm e vetëm për të mbajt një shkollë tjetër në këmbë edhe atyne fëmijëve iu thuhet rrinë edhe ke shpija ju se dëftesat dua ua japim, ju thonë.
Banorë: Për dritat i kam pague, i kam të vulosme, i kam të firmosme. Thotë hajde paguaj prapë. Unë nuk i paguaj më, veç kur të më venë hekurat.
Tregtarë: Ne na kanë përdor për vota, tani na mbyllin edhe numrin e telefonit.
Tregtarë: Një familje sikur jam unë me pesë vetë, isha debitor 200 mijë lekë të vjetra. Fëmijët e mi as në kohën e komunizmit 50 vjet nuk kanë nejt në terr. Kanë shku me qira 20 ditë deri kur ia kam arrit që t’i marr borxh që të laj 200 mijë lekëshin.
Tregtarë: Kam qenë shitës mishi kam kalu roje mishi.
Banorë: Unë jam socialist një herë, po ta kallëzoj. Jetoj vetë i pesti ke shpija me 65 mijë lekë të vjetra. Më kuptoni drejt, ça do të bëhet me këtë popull. Thash po jetoj unë familjarisht, por janë shumë familje kështu që po jetojnë, se kështu është nëse doni me fol drejt.
Basha: Ja si i kanë ndërtuar dy Shqipëri. Një Shqipëri të vuajtjes, të mjerimit, të padrejtësisë, të arbitraritetit e të gjobave për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, pa dallim demokratë dhe socialistë. Dhe një Shqipëri të oligarkëve si Koço Kokëdhima që del para gjykatës dhe thotë: “Po pse po më dënoni për vetëm 2 milionë lekë”. Po sigurisht se është mësuar Koço 2 milionë këtu, 20 milionë atje, 200 milionë këtu, “Albpetrolin” atje, “ARMO”-n këtu, sarajet atje dhe i duket çudi që ligji mund ta kapë edhe për 2 milionë, ndërkohë që shqiptarët janë dergjur burgjeve edhe për 3 mijë lekë të reja.
Në bashkëbisedim me të rinjtë dhe banorë të Rrëshenit, papunësia ka qenë kryefjalë e shqetësimit të tyre. Basha ka theksuar se punësimi i shqiptarëve do të jetë prioriteti numër një i tij si Kryeministër i ardhshëm. Dhe për këtë Partia Demokratike, tha Basha, ka platformën e saj që nis me uljen e taksave, siguri juridike për investitorët dhe kthimin në ekonomi të 1 miliard eurove, që sot përfundojnë në xhepat e qeveritarëve. Falja e kamatëvonesave dhe energji falas deri në 200 kw në muaj për familjet në ndihmë ekonomike është një tjetër hap i parashikuar në programin e Partisë Demokratike.
Basha: Po si mund të rritet ekonomia kur kapitali, investitorët kanë frikë të investojnë?! Sepse po të hapin një investim i pari do t’u vijë taksidari, i dyti do të vijë zyrtari i korruptuar që do të kërkojë pjesën e vet për një licencë, për një leje, i treti do të vijë krimineli me mbështetje qeveritare që do të kërkojë gjobën me pistoletë në kokën e biznesmenit. Detyra numër një e qeverisjes së ardhshme të demokratëve do të jetë punësimi i rinisë shqiptare dhe për këtë ne do të bëjmë gjithçka. Kemi propozuar dhe do të ekzekutojmë që javën tonë të parë faljen e kamatëvonesave dhe borxheve të energjisë elektrike të pakonfirmuara, por përmes sistemit aforfe. Dhe do të vendosim për të gjithë familjet në nevojë ekonomike sasinë prej 200 kw në muaj falas, të paguar drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit dhe të njëjtën gjë edhe për faturën e ujit.

Exit mobile version