Takimi Basha-Engel: Demokracia e rrezikuar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim nënkryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel, i cili shoqërohet nga personaliteti i njohur shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari dhe ambasadori amerikan Donald Lu. Basha e falënderoi kongresmenin Engel për kontributin e vyer që ka dhënë për Shqipërinë dhe Kosovën si dhe angazhimin e përhershëm për demokracinë në Shqipëri.
Kongresmeni Engel shprehu kënaqësi për ritakimin me kryetarin e Partisë Demokratike, ndërsa vlerësoi faktin që një lider i ri si Basha është duke sjellë një frymë të re në politikën shqiptare. Kongresmeni Engel vlerësoi kryetarin e  Partisë Demokratike, Lulzim Basha për lidershipin e treguar në procesin e ndryshimeve kushtetuese si dhe sinjalin pozitiv që vullneti politik jep për integrimin europian të vendit. Basha tha se, Partia Demokratike vazhdon të japë kontributin e saj dhe plotësimin e kuadrit ligjor, i cili nuk mund dhe nuk duhet të shkelë përcaktimet kushtetuese të miratuara me konsensus më 22 korrik. Ka qenë, është dhe do të mbetet angazhim parësor i Partisë Demokratike, garantimi i një drejtësie të pakorruptuar që nuk mbron, por lufton krimin dhe korrupsionin. Parakusht për këtë është një drejtësi e pakapur politikisht.
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, krimi dhe droga me mbështetje shtetërore si dhe korrupsioni i përhapur gjerësisht, ishin shqetësimet e ngritura nga Basha në këtë takim. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë sfida më kryesore për Shqipërinë, theksoi Basha. Duke iu referuar zgjedhjeve në Dibër kreu i demokratëve theksoi se ka një forcim të lidhjeve të krimit me politikën që po shihet në këto zgjedhje.
Në këtë kuadër Basha ndau me nënkryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të ligjit të dekriminalizimit dhe ndarjen e politikës nga krimi.  Basha e njohu Engel edhe me situatën e përkeqësuar të kriminalitetit në vend. Shqipëria, tha zoti Basha është shndërruar në hambar kultivimi të lëndëve narkotike, e cila mbrohet nga drejtues të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme, të cilët marrin fitimin e tyre. Këto para dhe paratë e korrupsionit qeveritar po përdoren në zgjedhjet e Dibrës dhe nesër në të gjithë Shqipërinë. Kjo është arsyeja pse mazhoranca nuk ka vullnet të realizojë reformën zgjedhore.
Për demokracinë dhe stabilitetin e Shqipërisë theksoi kryetari i opozitës, zgjedhjet e lira e të ndershme e në veçanti shitblerja e votës, roli i krimit dhe bandave, mediat e lira janë prioriteti më madhor, së bashku me sundimin e ligjit çka nënkupton respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin e ligjeve.

Artikulli paraprakEmigracioni në SHBA dhe kandidatët për president
Artikulli tjetërGrabitja e bankës në ish-Bllok, autorët përdorën kriko makine për të çarë murin