Pavarësisht se në fushë ishte Juventus-Barcelona, Luis Enrike tha se i dukej sikur shikonte pjesën e tretë të ndeshjes së luajtur në Paris. Trajneri i Barcelonës kritikoi ekipin, por shprehu besim për përmbysjen. “Rezultati është ai që është dhe ndoshta duhet ta pranojmë. M’u duk si pjesa e tretë e ndeshjes PSG-Barcelona. Është shumë e trishtueshme, sepse në pjesën e parë ishim inekzistentë. Në të dytën bëmë diçka, por është një moment shumë i vështirë. Po përjetoja makthet e njëjta me ato të Parisit”.
Enrike flet edhe për gabimet e skuadrës. “Pozicionimi në fushën e lojës dhe disa detaje të tjera gjatë ndeshjes na ndëshkuan. Intensiteti duhet të ishte më i lartë, sepse nuk mund të bëjmë ndeshje të tilla në Ligën e Kampionëve, për më tepër ndaj një rivali si Juventusi”.
Trajneri i Barcelonës beson tek përmbysja. “Besoj shumë, por nuk dua të flas. Duhet të jemi 100% të përqendruar dhe të japim maksimumin në fushë për t’ia dalë. Nëse arrijmë nivelin tonë, katër gola mund t’ia shënojmë çdo ekipi. Pezullimi që mori ai për ndeshjet e kampionatit janë diçka tjetër dhe besoj se nuk kanë ndikuar në performancën e lojtarit. Përpara ndeshjes u tronditëm edhe nga lajmi i Dortmundit. Unë nuk u surprizova nga pezullimi i sulmuesit tonë”.
“Nuk e di nëse ka diferenca mes këtij Juventusi dhe atij të dy viteve më parë, por kjo skuadër është shumë e mirë. Ata bënë një ndeshje të një niveli të lartë dhe me personalitet. Na bënë presion shumë lart dhe kjo na vuri në vështirësi. Alvesh? Është një lojtar i madh dhe dua ta përgëzoj për mënyrën se si e shijon profesionin e tij”.
“E kam shumë të vështirë si trajner ta shpjegoj atë që ndodhi. Pozicionimi ynë në fushën e lojës nuk ishte i duhuri, ndoshta nuk ua kam transmetuar ashtu siç duhet futbollistëve të mi. Jam unë përgjegjësi për këtë gjë që ndodhi. Në pjesën e dytë u përmirësuam, por rivali në atë moment mendoi vetëm për të na e lënë ne topin. Krijuam raste të pastra, por nuk kishim qetësinë e duhur përpara portës kundërshtare për t’i shndërruar ato raste në gol. Nuk mund të them asgjë më tepër. Tani më ka mbetur thjesht të besoj”.