Luis Enrique kërkon ta mbyllë me trofe aventurën te Barcelona. Kupa e Mbretit është titulli i vetëm i mbetur në dispozicion të katalanëve, pas zhgënjimit në La Ligan spanjolle dhe në kupat e Europës. Mbrëmjen e kësaj të shtune, “blaugranat” do të luajnë finalen e kupës përballë Alaveshit, në atë që do të jetë ndeshja e fundit në stadiumin “Vicente Calderon” të Madridit. Tre vjet më parë, Luis Enrique e nisi aventurën në stolin e Barçës, duke fituar Champions, kampionatin dhe kupën. Në vitin e dytë, skuadra fitoi dy trofetë në Spanjë, ndërsa në këtë sezon kupa është ngushëllimi i vetëm, me mungesën e Luis Suarez të pezulluar për finalen, që pritet të peshojë.
“Kërkoj nga skuadra që të paraqitet mirë, sepse në këtë mënyrë do të kemi më tepër shanse për të fituar. Më tepër sesa i shqetësuar, jam i vetëdijshëm se Alaveshi është në formë të mirë dhe ka luajtur futboll të mirë. Për ata është një sfidë unike dhe nëse na krijohet iluzioni se e kemi të sigurt fitoren do ta pësonim. Megjithatë, nuk kam parë askund tjetër lojtarë më ambiciozë se te Barcelona. Kjo është një finale dhe gjithçka mund të ndodhë. Për këtë arsye, duhet të jemi të përgatitur për çdo skenar”, u shpreh Enrike.
Me Avaleshin që e ka mposhtur Barcelonën 2-1 në kampionat, trajneri Mauricio Pellegrino beson se skuadra e tij mund ta përsëritë këtë arritje dhe të rrëmbejë trofeun e Kupës së Mbretit.
Mauricio Pellegrino “Futbolli është i paparashikueshëm dhe askush nuk e di çfarë mund të ndodhë. Ndoshta mund të shënojmë prej minutave të para dhe Barcelona të detyrohet të luajë me një lojtar më pak. Nëse ndeshja do të shkojë normalisht, edhe Alaveshi ka shanset e tij për të fituar. Natyrisht që për ne do të jetë një sfidë e vështirë, pasi skuadrat e mëdha synojnë gjithmonë trofe dhe kanë mentalitet fituesi”, tha Pellegrino.