Barcelona prej kohësh është vënë në ndjekje të një sulmuesi për të kompletuar repartin e avancuar. Por me Kevin Gamieron që zgjodhi Atleticon dhe Luciano Vietton që përshkoi rrugën e kundërt për momentin emrat konkretë për t’iu bashkuar Barçës mungojnë. Por edhe pse la të hapur mundësinë për të blerë një tjetër sulmues në konferencën për shtyp përpara sfidës ndaj Sampdorias e vlefshme për trofeun Gamper, trajneri i blaugranave Luis Enrique foli me superlativa për repartin e avancuar që ka në dispozicion. Përveç treshes fantastike, Messi-Suarez-Neymar sulmi i Barcelonës aktualisht kompletohet nga Munir El Haddadi dhe Christian Tello i rikthyer në skuadër pas huazimit te Porto e Fiorentina.
“Merkatoja jonë nuk është e mbyllur, mund të përmirësohemi me të tjerë elementë cilësorë, pasi sezoni është i gjatë dhe ka shumë të papritura. Nëse do të gjejmë ndonjë futbollist që mund të na pëlqejë në rregull, në të kundërt nuk ka asnjë problem. A do të jetë një sulmues? Për momentin kam në skuadër një repart të avancuar luksi dhe nuk mund të kërkoj asgjë më tepër”, u shpreh Enrique.
Më pas Luis Enrique foli edhe për uruguaianin Luis Suarez dhe dy blerjet e reja, mbrojtësit francezë Lucas Digne dhe Samuel Umtiti.
“Luisin e shoh në një nivel shumë të lartë. Është kthyer në formë nga pushimet dhe ka të njëjtën dëshirë dhe ambicie për të fituar si më parë. Digne dhe Umtiti? I kam parë mirë. Po përshtaten shpejt me skuadrën dhe do të na japin një ndihmë të madhe. Të dy do të luftojnë fort për të kapur formacionin titullar. Janë të rinj në moshë, por janë dy lojtarë me cilësi të mëdha”, përfundoi trajneri i Barcelonës.