Luis Enrique mbyll përfundimisht polemikat në distancë mes Barcelonës dhe Ligës së Futbollit Spanjoll për çështjen e simulimeve. Pasi Neymar u godit në kokë me një shishe gjatë sfidës në Valencia, disiplina akuzoi lojtarët katalanas si silmulues dhe ky qëndrim ngjalli reagimin e klubit që kritikoi ashpër federatën për komentin e bërë.
“Nuk kam ndërmend të flas më për atë që ndodhi në Mestalla. Te Barcelona ne kemi disa vlera që përpiqemi t’i përçojmë. Luajmë futboll dhe nuk jemi të dhunshëm për të dëmtuar kundërshtarët. Jemi mësuar me polemika. Mbajmë titullin kampion dhe luftojmë për të fituar sa më shumë trofe. Spekulimet nuk sjellin asgjë pozitive për askënd. “Sjellja e lojtarëve të mi është çmimi që fitojnë çdo vit për Fair Play e treguar në fushë”, u shpreh Enrike.
Sinjale të qarta se Luis Enrique kërkon ta arkivojë sa më parë këtë çështje për t’u fokusuar te futbolli i luajtur. Gjithsesi, ai mban anën e klubit që i kërkoi Gjykatës Administrative për të marrë masa ndaj Ligës. “T’i hedhim benzinë zjarrit nuk i intereson askujt, sepse faktet janë të qarta. Çmimet Fair Play që kemi fituar ndër vite flasin qartë për sportivitetin tonë. Ne jemi skuadra që bën më pak ndërhyrje antisportive dhe ndëshkohet më pak me kartonë”, tha trajneri i Barcelonës.