Djali i Zinedine Zidane, Enzo Zidane duket do të jetë nën urdhrat e babait të tij tek Reali i Madridit. Mediat spanjolle raportojnë, se Enzo është transferuar në formën e huazimit tek Alaves, në formën nga ku ka firmosur një kontratë trevjeçare. Tek Alaves 22-vjeçari do të ketë më shumë minuta në dispozicion si dhe do të ketë mundësi të rritet akoma edhe më shumë si futbollist.
Saul Niguez i premton besnikëri Atleticos së Madridit. Mesfushori i Colchoneros, në një intervistë të dhënë është shprehur se për asnjë moment nuk e ka menduar largimin nga skuadra. Madje, ai është shprehur se ndihet shumë mirë tek Atletico dhe se ka mbështetjen e të gjithëve.
Deportivo La Coruna ndërron emrin e stadiumit. Arena e re e klubit do të quhet “Abanca Riazor”. Në marrëveshjen e firmosur nga ana e Presidentit të klubit spanjoll, Tino Fernadez, në arkat e klubit do të shkojnë 45 milionë euro. Falë këtij akordi Deportivos i është krijuar mundësia për të paguar të gjitha detyrimet që kanë ndaj Ministrisë së Financave.
Xavi Hernandez po mundohet të bindi ish-shokun e tij të skuadrës Andres Iniesta, të vazhdojë aventurën e tij tek Barcelona. Iniesta ende nuk ka firmosur rinovimin e kontratës me klubin blaugrana, madje as ai vetë nëpër intervista nuk e ka dhënë një konfirmim. Në ndihmë blaugranave i ka ardhur një ish, siç është Xavi, i cili ka pasur një telefonatë me mesfushorin nga ku është munduar ta bindë atë.
Diego Llorente është zyrtarisht lojtari më i ri i Real Sociedadit. Drejtuesit e klubit bask, arritën marrëveshjen me Realin e Madridit që kishte pronësinë e futbollistit, por që sezonin e fundit luajti i huazuar te Malaga. Kartoni i qendërmbrojtësit të talentuar i kushtoi arkave të Real Sociedadit, 6 milionë euro, ndërsa Diego Llorente firmosi një kontratë 5-vjeçare me klubin nga San Sebastian.