Charlotte Potts
Natyrisht që rezultatet në zgjedhje në Landin e Meklenburg-Forpomeranisë janë shuplakë e rëndë, por me siguri ato nuk janë fundi i epokës së Angela Merkelit si Kancelare ose fillim i një kthese politike.
“Perëndim kancelareje”, “Sa shuplaka mund të durojë ende Merkeli?” “Disfatë në zgjedhje për Merkelin” – me këto tituj gazetash nisi kjo javë. Prej muajsh ka herë pas here momente, në të cilat duket se mandatit të Merkelit si Kancelari po i vjen fundi: pas fjalisë së saj të debatueshme “do t’ia dalim mbanë” të një viti më parë dhe strehimeve të refugjatëve që u përfshinë nga flakët, pas natës së Vitit të Ri, në të cilën refugjatët ngacmuan seksualisht dhe grabitën gratë, pas atentateve në Würzburg dhe në Ansbach, të cilat i ushtruan azilkërkues. Dhe megjithatë Merkeli vazhdon të jetë Kancelare Federale. Edhe qëndrimit të saj për çështjen e refugjatëve ajo vazhdon t’i përmbahet.
Natyrisht që rezultati i zgjedhjeve në Landin e Meklenburg-Forpomeranisë është një shuplakë e rëndë për CDU-në. Natyrisht që suksesi i Alternativës për Gjermaninë (AfD), të përfaqësuar tani në nëntë nga 16 parlamentet e landeve të Gjermanisë duhet t’i bëjë të mendohen partitë tradicionale. Një parti demokratike djathtas partive unioniste nuk duhet të ekzistojë – kjo ishte prej kohësh linja kryesore e CDU/CSU-së. Me AfD tani ka zënë vend një parti e tillë. Natyrisht që fajin për këtë e ka edhe politika e Merkelit ndaj refugjatëve – në verën e vitit 2015 Kancelarja mori një vendim.
Ajo nuk ua mbylli rrugën refugjatëve që kishin ngecur në Hungari, duke i dhënë partisë së saj një kockë të fortë për të gëlltitur. Që një vendim me pasoja të gjera sjell me vete edhe probleme me pasoja të gjera, kjo vetëkuptohet. Edhe që kjo nuk i bind të gjithë në CDU, kjo nuk të habit.
Edhe para pesë vjetësh rezultati i CDU-së nuk qe i mirë
Rezultati i këtyre zgjedhjeve të landit megjithatë nuk duhet mbivlerësuar: Ne flasim për zgjedhje rajonale në një land të Gjermanisë, i cili gjithmonë ka pasur shumë zgjedhës protestues. Që në vitin 2006 në Parlamentin e këtij Landi përfaqësohej Partia Ekstremiste e Djathtë, NPD. Pra kemi një land, ku mënyra e djathtë e të menduarit ka traditë. Në të cilin skajet politike, djathtas dhe majtas janë tradicionalisht të forta. Dhe në të cilin CDU-ja që në zgjedhjet e fundit pesë vjet më parë – pra shumë kohë para krizës së refugjatëve – mori vetëm pak më shumë se njëzet për qind të votave të zgjedhësve.
Pra më e mençur do të ishte që të argumentonim ndryshe dhe të thoshim: vetëm katër pikë në përqindje u humbën në pesë vjet, në të cilat në vend kanë ndryshuar shumë gjëra. Landi i Meklenburg-Forpomeranisë është një land që nga pikëpamja ekonomike nuk luan thuajse asnjë rol. Me 1,3 milionë banorët e tij, ai ka gjithsesi pak persona me të drejtë vote dhe prej tyre për të votuar shkuan vetëm rreth 60 për qind. Dhe një land, i cili vendosi që gjithçka të mbetet si ka qenë: me një koalicion stabil të dy partive më të mëdha. Nuk janë 800.000 vetë ata që vendosin për të ardhmen e një mandati në zyrën e Kancelarisë.
Merkeli tani duhet të mbajë qendrim të qartë
Problemi i vërtetë i CDU-së në Meklenburg-Forpomerani nuk ishte Merkeli, por kandidati i papreferuar i CDU-së, Lorenz Caffier. Caffier u paraqit si një kandidat i “rregullit dhe ligjit”, kërkoi ndalimin e burkas. Kjo në një kohë, kur duhet dyshuar që Meklenburg-Forpomerania ndodhet para problemit të mbulimit të plotë të grave. Vetëm 20.000 refugjatë strehoi ky land në bazë të sistemit të kuotave edhe në kohën e pikut të ardhjes së refugjatëve – dhe shumë azilkërkues ka kohë që janë larguar nga Meklenburg-Forpomerania.
Megjithatë: CDU-ja, duke përfshirë edhe Kancelaren duhet t’i shikojë zgjedhjet në Meklenburg-Forpomerani si thirrje: jo për të ndërmarrë një kthesë të politikës së saj, por për të demonstruar qendrim dhe për t’i vënë në tryezë faktet: që në vitin 2016 në Gjermani vijnë shumë më pak refugjatë, që vitin e kaluar u regjistruan gati një milion refugjatë dhe janë strehuar në komuna. Do të bënin mirë që t’i komunikonin edhe problemet dhe të pranonin edhe gabimet – tek integrimi, tek marrëveshja e refugjatëve me Turqinë dhe që kriza e refugjatëve nuk ka marrë fund. Sepse ja që realiteti nuk është bardh e zi, siç ka dëshirë ta vizatojë atë AfD.
Më pak oportunizëm politik dhe më shumë të vërteta – ndoshta këtë zgjedhësit do të dinin t’i vlerësonin.