Epopeja për liri!

Nga Bujar Vreto

Me nderim të thellë, bashkë me familjarët, drejtuesit vendorë, deputeti z. Leskaj dhe qytetarët, së bashku, sot kujtuam martirët.

47 vite që Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, dy poetët e Bërzeshtës, Librazhdit dhe mbarë shqiptarisë u ekzekutuan nga regjimi i pamoralshëm, diktatorial dhe terrorist i Enver Hoxhës. Poetëve të njohur nuk ju ndalua rrugëtimi i jetës, vetëm për penën e artë të tyre, por edhe për shkak të angazhimit intelektual dhe politik kundër një regjimi të kriminalizuar.

Ata ikën të brengosur? jo për jetën, por për kauzën e ndritur që e ruanin si etalon vlerash, si frymën e rezistencës dhe dashurisë për kulturën, traditën, të vërtetën dhe lirinë.

Edhe pse regjimi famëkeq me pushkatimin e dy djemve në lulen e rinisë, u shkaktoj dhimbje familjarëve, trishtoj me qindra e mijëra zemra, lëndoi një shoqëri të tërë, prap nuk vrau dot, ndjenjën, ëndrrat, por dhe kontributin e tyre në letërsi, kulturë, politikë e kudo. Sa më shumë të lexosh veprat e tyre aq më shumë tregon thellësinë e dashurisë për lirinë dhe demokracinë, për përballjen me regjimet autokratike dhe rivitalizimin e aspiratave të pashlyeshme për një shoqëri të lirë, të hapur dhe demokratike. Nëpërmjet poezive dhe shkrimeve të tyre, transmetohet pasioni dhe angazhimi për vlerat dhe liritë e individit, aty ndeshemi me një vizion të qartë për një shoqëri të drejtë dhe meritokratike. Kjo na garanton që trashëgimia e tyre letrare të mbetet një frymëzim dhe një kujtesë e rëndësishme për gjeneratat e ardhshme, duke na inkurajuar të vazhdojmë luftën për liri dhe drejtësi.

Shpirti, ndriçimi dhe madhështia e veprës të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës vetëm shtohen me kalimin e kohës. Ata kanë lënë një pasuri të palrahasueshme që vazhdon të frymëzojë dhe të mbërthejë lexuesit në një thellësi emocionale dhe mesazhe të përkryera. Epoka e tyre ishte, është dhe do të mbetet, tërësisht e rëndësishme si burim frymëzimi për të tjerët dhe si një amshim kontributiv për letërsinë, kulturën, politikën dhe luftën për liri.

Exit mobile version