Sjellja e Ramës me krerët e shumicës në Bundestag ka qenë ajo e një rrugaçi. Ish-Kryeministri ka zbadhur reagimet mjaft të ashpra të deputetëve gjermanë, të cilët janë detyruar nga Rama të reagojnë në mënyrë të tillë.
“Para tre javësh këtu erdhi një mision i Bundestagut. Ishte misioni i 10-të i Parlamentit gjerman në Shqipëri që nga viti 2012, dhe me një qëllim të vetëm; mbledhjen e fakteve për të formuluar qëndrimin e Bundestagut për integrimin e Shqipërisë. Këtë e kanë bërë me Serbinë dhe me çdo vend. Çështë e vërteta, dashje apo padashje, por Gjermania sot është superfuqia politike perëndimore e Europës, dhe jo vetëm e BE, por dhe e Europës. E vërteta tjetër është se ajo përbën përpjekjet më të mëdha dhe historike për paqen, çka i intereson kontinentit, ka shndërruar qytetërimin e saj në një investitor të madh mbi vlerat, çka është në të mirë të Europës dhe mbarë njerëzimit.
Çfarë bëri Edi Rama me ta. Ja u them këtu se, Rama është sjellë si një rrugaç në zyrën e tij ndaj përfaqësuesve të Bundestagut. Eshtë sjellë në mënyrë të atillë saqë ka detyruar reagime, të cilat ndonjëri prej tyre sdo ja kishte lejuar vetes kurrë. Eshtë sjellë në mënyrë të atillë, saqë në jetën e tyre, ai delegacion, vetëm një herë 30 vite më parë kishte rastisur të ulej me një bandit të një principate, që mund të krahasonin qëndrimin e Ramës ndaj tyre”, tha Berisha.
Dhe pasi deputetët gjermanë kanë reaguar mjaft ashpër Rama ka bërë servilin duke i shoqëruar deri tek dera e makinës. “Dhe ç’bëri pastaj? Bëri si pushka e plasur…mori doli deri tek shkallët e poshtme e i përcolli deri te dera e makinës. Pasi dolën prej tij, Edi Rama ndërseu rrugeçërit e zyrës së tij kundra tyre, në mënyrën më shpifarake, sikur të përfaqësonin diktatorin e Koresë së Veriut dhe jo Bundestagun gjerman. Ju nuk e njihni Bundestagun. Ju mendoni se grupet në Bundestag janë si puna juaj, skllevër të një njeriu. Po s’janë ashtu. Ata kanë ardhur 10 herë për të formuluar qëndrimin e tyre. Ata marrin të dhëna nga ambasadat, nga Brukseli, ata marrin të dhëna nga çdo burim. Ka dërguar 10 herë misionet e tyre këtu, dhe ti e quan raportin e tyre një fletrrufe të shkruajtur nga opozita dhe pastaj bëre dhjetëra gjëra të turpshme që s’mund të bëheshin kurrë.
Para se ata të vinin këtu, ata kishin bërë një seri takimesh. Mendoni ju se ai vinte për të shprehur mendime personale këtu? E keni gabim shumë. Ata kishin bërë një seri takimesh me faktorë relevantë që merren me rajonin. Dhe siç e shihni ja ku është deklarata e grupit të tyre parlamentar. Ai tha se fliste në emër të grupit, pasi kishte biseduar me kryetarin e grupit. Ja që doli dhe zëdhënësi i grupit pas mbledhjes së grupit. Do të dilni tani prap ta përgënjeshtroni? Pse heshtni, pse nuk flisni.
Ja çfarë thotë deklarata e grupit parlamentar të Bundestagut, CDU-CSU: “Shqipëria aspiron që të jetë anëtare e Bashkimit Europian. Gjermania ka theksuar mbështetjen e saj në mënyrë të përsëritur. Megjithatë, vendi duhet të përmbushë të gjitha kriteret për anëtarësim. Për miratimin nga Gjermania, grupi parlamentar CDU-CSU në Bundestag ka përcaktuar një listë me prioritete. Kërkesa kryesore është zbatimi i plotë i Reformës në Drejtësi, tashmë i miratuar. Vetëm atëherë mund të sigurohemi se gjyqtarët janë profesionistë dhe me integritet. Në këtë kontekst është e domosdoshme që rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë do t’i nënshtrohen procedurës së verifikimit. Nëse rezultojnë të korruptuar, nuk do të miratohen që të qëndrojnë në sistemin gjyqësor. Pasuria e tyre duhet të verifikohet gjithashtu”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri deklaroi se kurrë nuk do të pranohet nga Europa që Vettingu ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të mund të bëhet nga gjeneralët politikë të Ramës.
“Ndërsa ju doni që këtë verifikim ta bëj Alket Hyseni i statutit të partisë, Sefer Shullazi i DSIK-së, por ja që Europa këtë nuk e pranon kurrë.
Vazhdon më poshte deklarata: ‘Grupi CDU-CSU shpreh shqetësimin edhe për përparimin e ngadalshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Para se BE të miratojë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë, prodhimi dhe trafiku i drogës në vend duhet të ulet në mënyrë dramatike’.
Unë kam një pyetje për secilin prej jush këtu, për krahun kanabist. Unë çështë e vërteta, përveç backgroundit tim nga shkencat fizike, kam lexuar shumë për kanabisin dhe unë ja di të gjitha efektet. E di që edhe në SHBA ka shtete që e kanë legalizuar. Por tani do ju bëj një pyetje ju që e mbillni dhe e keni shndërruar në politikë qeveritare. A ka gjë më të verbër se kjo? Ju keni shndërruar krimin në politikë. Të supozojmë për një moment se ky parlament do të vendosë për legalizimin, ku do ta çojnë shqiptarët atë? Do të krijojmë Shqipërinë vendin e tregut ilegal më të madh në Europë, do ta damkosim Shqipërinë me këtë gjë, do ta vulosim atë si Kanabistan dhe Kolumbi.
Po këtu e keni çuar ju Shqipërinë sot. Ndaj lexojeni mirë deklaratën e Bundestagut. I pëlqen si pëlqen kujt, ata janë shtylla më kryesore e demokracisë në kontinent.
Çfarë thotë deklarata tyre për gjyqësorin: “Gjyqësori duhet të jetë i pavarur nga ndikimet politike dhe të mos jetë objekt i asnjë kontrolli politik”. Ja pra zotërinj, ndërsa ju doni kontrollin me Hysenin e statutit dhe Seferin e Shullazit.
Në kohën time, në postin e Seferit të Shullazit ka qenë një njeri i emëruar qysh në kohën e socialistëve dhe unë se kam lëvizur atë fare. Ka qenë një njëri i emëruar nga PS. Po pse do ta lëvizja unë atë. Ai ishte një njëri që bënte detyrën dhe kaq. Kush ishte në larjen e parave? Një oficer policie gjithë jetën e tij. Kë vutë ju? Hajdutin e financave të PS dhe pastaj vutë Alketin e statutit. Me këtë do të kontrolloni drejtësinë? Po kurrën e kurrës, Europa nuk do jua lejoj ju këtë kontroll. Europa po kërkon me insistimin më të madh reformën, por ajo s’mund të pranojë kurrë reformën që ju planifikoni. Dhe unë ju garantoj se nuk do të ketë asnjë progres pa largimin e Edi Ramës!”, tha Berisha.
Tre vite pa asnjë qindarkë pensionistët
Sa për mashtrimet që tha Rama në fjalën e tij, njëri që s’di ato që flet. Unë absolutisht vlerësoj dhuratën në fund të vitit për pensionistët, ta gëzojnë, sepse e meritojnë njëqind herë, por dënoj qëndrimin cinik dhe shpirtkazëm të Ramës që tre vite i la pa një qindarkë, pa një kacidhe dhe tani del e mburret sikur po ja u jep nga xhepat e tij, në një kohë kur, sikur vetëm 1/10-ën e shpenzimeve që bën për zyrat e tij tja u jepte pensionistëve, ata do merrnin çdo ditë, siç morën 8 vite me radhë, dy herë nga 50 mijë dhe 6 herë të tjera 25 mijë, dhe do të kishin marrë sot në katër vjet jo 60 mijë, por fiks 120 mijë. Mirëpo këta janë bijtë e etërve.
Besoj ju kujtohet disave se si në vitet ’70 morën dele nga Jugu dhe i çuan në Veri, çuan brucelozën dhe to dhe një këngë “dhamë e dhamë e dhamë e dhamë”. Po a mundet një kryeministër të bëjë takim me oficerët se ju ka rritur rrogat? Vetëm ky mund ta bëjë. Po ne ja u kemi rritur rrogat 110-120% dhe kurrë s’kemi bërë një takim me ta, sepse ajo është një normë. Sigurisht që këtë e bën një kryeministër që ka vetëm një mendësi, atë të Spiro Kolekës, që ndjek vetëm një rrugë; atë të etërve të tij.
Edhe një herë për ta mbyllur, u bëj thirrje shqiptarëve, mesazhi i Brukselit, mesazhi i Europës është një dhe vetëm një; E duam Shqipërinë të eci drejt nesh, me Edi Ramën ecni drejt Enver Hoxhës, nuk shkoni drejt Europës. 18 qershori është dita që shqiptarët do të votojnë për Europën. Era e re që po fryn do ta hedhi atë në Lanë!