Erdogan arreston edhe ndihmësin e tij

Turqia i intensifikoi dje masat shtypëse ndaj zyrtarëve, të cilët ajo i akuzon se kanë patur rol në përpjekjen për grusht shteti, duke shkarkuar nga detyra rreth 1 mijë e 400 vetë nga personeli ushtarak.
Mes tyre është një ndihmës i afërt i Presidentit Recep Tayyip Erdogan: Ali Yazici ishte në mesin e personave të arrestuar 5 ditë pas kryengritjes së 15 korrikut, që synonte rrëzimin nga pushteti të qeverisë së Erdoganit.
Më tepër se 50 mijë turq kanë humbur vendet e punës dhe mbi 18 mijë të tjerë janë ndaluar, nën akuzat se kanë patur lidhje me klerikun mysliman Fethullah Gulen, i cili prej 17 vjetësh jeton në Shtetet e Bashkuara. Erdogan ka fajësuar Gulenin, një rival i tij, për përpjekjen për grusht shteti, gjë që ai e mohon.
Turqia ka kërkuar ekstradimin e 75-vjeçarit Gulen nga SHBA. Ai jeton në një kompleks malor në shtetin e Pensilvanisë. Ankaraja i ka dërguar zyrtarëve amerikanë dosje me dokumente ku pretendohet përfshirja e Gulenit në grushtin e shtetit, por Shtetet e Bashkuara nuk kanë lënë të kuptohet se do të veprojnë me shpejtësi për kërkesën e ekstradimit.
Ndërkohë, përkrahës të zotit Erdogan u mblodhën dje në një miting në Këln, për të shprehur mbështetjen e tyre për Presidentin turk. Në Gjermani ka rreth 3 milionë njerëz me origjinë nga Turqia.

Artikulli paraprakGjermani-Turqi, shqetësimi për tregtinë 36 miliardë euro
Artikulli tjetërTrump provokon sërish