Erdogan për Sirinë: “Nuk do të shpallim kurrë armëpushim”

Forcat turke vazhdojnë ofensivën e tyre në veri të Sirisë, kurse debatet politike vazhdojnë. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan kundërshton kategorikisht çdo thirrje për armëpushim.

“Ne nuk do të shpallim kurrë armëpushim,” tha Rexhep Tajip Erdogani, sipas gazetës turke “Hurriyet” duke u kthyer nga një vizitë në Azerbajxhan. Sanksionet amerikane nuk e shqetësojnë, tha ai. Ai nuk do të përkulet para presionit nga Uashingtoni. Trupat turke duhet të arrijnë fillimisht objektivin e tyre, krijimin e një zone mbrojtëse përgjatë kufirit.

Të hënën, SHBA vendosën sanksione ndaj Turqisë për shkak të ofensivës ushtarake turke në veri të Sirisë, të nisur javën e kaluar dhe bënë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm. Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se masat ndëshkuese mund të zgjerohen, nëse hapat e deritashëm nuk do të kenë efekt.

Ndërkohë, ushtria turke po e vazhdon ofensivën e saj pa u trazuar. Në veri të Sirisë, forcat e armatosura patën të martën përsëri luftime të ashpra me milicinë kurde, YPG. Edhe ushtarë sirianë janë të përfshirë në luftime. Në lindje të qytetit të Ain Issa, trupat turke vranë të paktën dy prej tyre dhe plagosën të tjerë, siç bëri të ditur Qendra Vëzhguese Siriane për të Drejtat e Njeriut.

Ankaraja e justifikon operacionin ushtarak në vendin fqinj me të drejtën e saj për vetëmbrojtje. Turqia i konsideron YPG dhe krahun e saj politik PYD si organizata terroriste. YPG mban kontakte të ngushta me Partinë e ndaluar të Punëtorëve Kurd PKK, e cila ndodhet në listën e organizatave terroriste edhe në SHBA dhe në Evropë.

SHBA, një ndërmjetësuese e besueshme?
Zëvendësi i Trumpit, Mike Pence dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo këtë të mërkurë udhëtojnë në Ankara për ta bindur Turqinë të përfundojë ofensivën e saj. Sidoqoftë, ishte vetë Presidenti amerikan që e hapi rrugën për operacionin ushtarak me tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga rajoni.

Tërheqja e aleatëve të tyre u perceptua si tradhëti nga kurdët, pas viteve të luftimeve me SHBA kundër milicisë terroriste “Shteti Islamik” (IS). Edhe Rusia është angazhuar në negociata. Presidenti Vladimir Putin dhe Erdogan ranë dakord në një telefonatë që të takohen ditët e ardhshme për të diskutuar ofensivën turke, njoftoi Kremlini.

Putini e ftoi Erdoganin në Moskë. Nisma për telefonatën pati ardhur nga pala turke, vazhdoi zyra e Putinit. Presidenti rus kishte paralajmëruar veç kësaj, se xhihadistët e arrestuar mund të shpëtojnë për shkak ofensivës turke, u bë e ditur.

Këshilli i Sigurimit i OKB takohet përsëri të mërkurën për një seancë tjetër të veçantë për sulmin turk në veri të Sirisë. Vendet perëndimore kanë frikë se kjo mund të çojë në riforcimin e Shtetit Islamik.

Aktualisht, luftimet në veri të Sirisë prekin kryesisht popullsinë civile. Një javë pas fillimit të operacionit ushtarak turk në vendin fqinj kundër militantëve kurdë, sipas informacioneve të OKB tashmë të paktën 190.000 vetë kanë marrë arratinë nga bombat dhe predhat.

Exit mobile version