Ergys Mërtiri: Dehumanizimi që sjell Big Brother

Nga Ergys Mërtiri

Nëse ka një gjë që mund të demonstrojë Big Brother-i, është fuqia dehumanizuese që ka zhdukja e intimitetit. Të jetosh 24 orë i vëzhguar në kamera, për muaj me rradhë është një ushtrim i fortë i fuqisë njerëzore për të fshehur vetveten, madje edhe për ta humbur atë përfundimisht. Kjo lloj karantine është një instrument i fuqishëm denatyrimi, ku njeriu duke humbur vetveten humb paralelisht edhe të vërtetën.

Në romanin “Lehtësia e padurueshme e qenies”, Milan Kundera thotë se, vetëm duke i qendruar larg publikut, njeriu mund të jetojë me të vërtetën pa gënjyer veten dhe të tjerët. Ne priremi gjithmonë ti përshtatemi syve që na vëzhgojnë dhe për pasojë asgjë që bëjmë nuk është e vërtetë. Publiku të bën të jetosh me gënjeshtra. Për këtë arsye, Kundera thotë se, kush humb intimitetin ka humbur gjithka dhe ai që heq dorë me dëshirë të plotë prej intimitetit të tij është një përbindësh.

Personazhet në Big Brother heqin dorë plotësisht nga intimiteti duke pranuar të jetojnë për muaj me rradhë përpara kamerave dhe sytë e publikut që vëzhgon, gjykon, komenton gjithçka që ata bëjnë 24 orë në 24. Dhe jo vetëm kaq, por kësaj i shtohet edhe gara, kush do fitojë trofeun, çfarë e bën praninë aty, jo vetëm të zhveshur nga vetja, por edhe të armatosur me të gjithë infrastrukturën e maskave, hileve, intrigave dhe të gjitha mjeteve çnjerëzore që imponon instikti i mbijetesës. Kjo e bën Big Brother-in, një xhungël me kamera.

Ndoshta kjo është edhe arsyeja përse shumë nga personazhet aty, duket se nuk shfaqin asgjë njerëzore, përveç momenteve patetike, të spektakolarizuara nga elementët skenikë të regjisë, kur ata rrëfejnë momente nga jeta e tyre jashtë kafazit, apo mallit për familjarë, kryesisht fëmijë, që ata vetë, me vullnetin e tyre të plotë, i kanë braktisur për hir të lojës. Sherret e përditshme, tensioni i vazhdueshëm, kurthet dhe sulmet e parreshtura që i bëjnë njëri-tjetrit, janë shenja të ngurtësimit të ndërgjegjes humane. Kjo është edhe arsyeja përse britmat dhe ngërdheshjet janë aq të shpeshta si mjete komunikimi midis banorëve të kësaj xhungle.

Në fakt, vetë bota moderne, e transformuar dhe shpërfytyruar prej medias, qoftë ky televizioni apo rrjetet sociale, kanë shkatërruar nevojën njerëzore për intimitet. Në një botë të spektaklit ku, siç thotë Debort, eksziston veëtëm ajo çfarë shfaqet, ku vetë ekzistenca është spektakolarizuar dhe përjashton gjithçka që qendron jashtë skenës, intimja priret të bëhet diçka pa vlerë. Në një botë të tillë përpara se të jesh, ka rëndësi të dukesh, madje dukja asgjëson vetë qenien duke përcaktuar fillimin dhe mbarimin e të qenit.

Kjo është arsyeja përse ka njerëz që shkatërrojnë jetët e tyre, madje edhe marrëdhëniet e tyre familjare e shoqërore, vetëm për tu futur në botën e spkektaklit, për tu bërë të famshëm e të njohur prej të tjerëve. Nevoja për të qenë dikush, në një botë të atomizuar, që ka shkatërruar marrëdhëniet njerëzore, bëhet një nga motivet kryesore në jetën e shumë njerëzve, sidomos të rinjve, dhe ku shumica e të cilëve gjejnë zhgënjimin apo edhe rrënimin e tyre.

Artikulli paraprakMinistrja që ha zonat e mbrojtura/ Si e vendosi Kumbaro Gjirin e Llamanit nën kthetrat e betonit
Artikulli tjetër“Porta e ligjit”, një udhëtim në rrëfimet e Kafkës