Nga Ergys Mërtiri
Nuk e di a është mafioz apo gjobëvënës vrasësi i Egli Progës në Pogradec, por Drejtori i Policisë Muhamet Rrumbullaku reagoi sot si kapo i mafias. Hapur, pa pikë droje, ai doli sot në sytë e publikut, duke kërcënuar, jo vartësit e tij që nuk e bëjnë si duhet detyrën, por mediat që denoncuan ngjarjen, duke thënë se do të hapë një proces hetimor kundër tyre. Të njëjtën gjë bëri më pas edhe shefi i tij Edi Rama, duke e quajtur reagimin e medias si agresion të qëllimshëm dhe të neveritshëm kundër policisë dhe qeverisë.
Në fakt, nuk është faji i medias përse inspektorë të policisë në Pogradec, e referojnë ngjarjen sikur kemi të bëjmë me një aksident nga pija. Familjarët kanë denoncuar se punonjësit e policisë u kanë pohuar se viktima nuk është goditur, por është rrëzuar, ndërsa nga ana tjetër sipas tyre, policia nuk mbledhur provat siç duhet e madje as nuk ka rrethuar vendngjarjen për të vërë hetimet e nevojshme. Vetë prokuroria pohon sot se ka vënë në hetim inspektorin e policisë për mosdokumentim të shkakut të vdekjes.
Ndonëse kanë një mijë të meta, mediat në këtë rast kanë bërë detyrën duke denoncuar ngjarjen, dhe, pa reagimin e tyre, sot gjithçka do ishte mbyllur në dëm të viktimës, si në shumë raste të tjera. Nëse ka pasur teprime në raportim, kjo vjen pikë së pari për faj të vetë policisë, e cila ka heshtur për katër ditë me rradhë. Z. Rrumbullaku do të duhet të kish bërë detyrën e tij, duke ofruar transparencë të plotë e të detajuar që ditën e parë për të qetësuar opinionin publik, e të mos dalë sot, pas katër ditës, për tu ankuar se mediat po i cënojnë imazhin policisë duke desinformuar. Vonesa në raportim dhe mungesa e transparencës janë gjithmonë shkaku kryesor i desinformimit dhe nëse dikush duhet të hetohet apo dënohet për këtë, duhet të fillojë nga vetë policia dhe nga ai vetë i pari.
Por, në vend që të japin llogari, Rama dhe Rrumbullaku bëjnë rolin e viktimës dhe hidhen në sulm, duke kërcënuar penalisht fjalën e lirë. Ata zgjodhën të mbajnë anën e agresorëve kundër viktimave dhe atyre që tregojnë të vërtetën për ta. Ndërsa u fol prej ditësh se vrasësit kërcënojnë dëshmitarët për të mos folur, sot Edi Rama dhe drejtori i tij i policisë kërcënuan gazetarët për ti detyruar të heshtin. Gjeni ndryshimin!
Në një vend demokratik, policia, e aq më tepër Kryeministri, nuk ka punë me mediat. Detyra e tyre është transparenca dhe sqarimi i opinionit. Kryeministri nuk është rojë i të vërtetës për të ndëshkuar këdo që gënjen (nëse gënjen ndokush tjetër përveç tij në këtë histori). Detyra e tij, është të vërë prapa hekurave kriminelët, jo të sulmojë viktimat kur ankohen pse shteti nuk i mbron.
Në çdo vend normal, edhe sikur mediat ta kenë tepruar, Kryeministri do të duhet ti falenderonte për ndjeshmërinë e treguar, pasi kjo vetëm ndihmon që policia të tregohet më e përgjegjshme për të mos ulur ashpërsinë me të cilën duhet dënuar krimi. Fakti që qeveria reagon me këtë lloj agresiviteti ndaj atyre që ngrenë shqetësime mbi punën e policisë tregon kompromentimin e thellë që ky shtet ka në raport me krimin.