Nga Ergys Mërtiri
Kryeministri Rama po vazhdon të përgatisë terrenin për të goditur SPAK-un. Dje ishte Fatmir Xhafa që mbi ecurinë e raportit të komisionit të tij për reformën në drejtësi, ndërsa sot vetë Rama foli me mllef kundër nismës së Prokurisë së Posaçme për të monitoruar zgjedhjet, duke u shprehur se kjo ngjan me kohën sigurimit të shtetit qe survejonte qytetarët për politikë.
Rama pretendon se prokuroria nuk ka të drejtë të survejojë partitë. Po si kështu? Partitë paskan të drejtë të vjedhin votën e qytetarëve, të mbajnë në këmbë një skemë mafioze të blerjes së votës dhe prokuroria nuk paska të drejtë të monitorojë e hetojë? Në fakt, sigurimi i shtetit survejonte qytetarët për llogari të pushtetarëve kurse SPAK-u po survejon pushtetarët që zhvasin qytetarët.
Ajo që nxjerrim përtej asaj çfarë Kryeministri thotë është se SPAK-u është kthyer pa dyshim në një makth për qeverinë. Për të SPAK-u është bërë i tmerrshëm si Sigurimi i Shtetit. Por, nga ana tjetër, është e sigurtë se nuk mund të ketë gjë më të mirë e më të shëndetshme për një vend se kjo. Kur politikani ia ka frikën kaq fort drejtësisë tregon se drejtësia po punon mire dhe kjo ia rrit prestigjin SPAK-ut.
Ne e dimë se, prej kohësh Rama i qendron idesë se të drejtën e mbajtjes së mëlçive në qafë e kanë vetëm ujqërit. Por në të vërtetë, në këtë rast ujku ka nevojë për mëlçi në qafë për shkak se kërkon të qetësojë lepurin në bark.