Erikson gjykon Maqedoni-Shqipëri

Transferta shumë e rëndësishme e Shqipërisë me Maqedoninë, që do të zhvillohet më 5 shtator në stadiumin e Strumicës, do t’i besohet gjyqtarit suedez Jonas Erkisson, ndërsa ndihmës të tij do të jenë Mathias Klasenius dhe Daniel Warnmark. UEFA, duke parë rëndësinë e kësaj ndeshjeje, ka caktuar një arbitër me shumë eksperiencë, i aftë për të kontrolluar situatat edhe më të paparashikuara që mund të lindin jo vetëm në fushën e blertë.
43-vjeçari Eriksson, i cili e ka marrë stemën e FIFA-s që nga viti 2003, është një nga arbitrat më të rëndësishëm ndërkombëtarë, i caktuar për të gjykuar madje edhe finalen e Europa Leagues mes Sevillas dhe Liverpool. Gjithashtu është pjesë e trupës më të mirë të gjyqtarëve të përzgjedhur për finalet e Botërorit dhe Europianit.
Eriksson është një gjyqtar multimilioner, teksa vetëm nga shitja e 15% të aksioneve të një kompanie televizive ka mundur të fitojë rreth 7 milionë euro. Ai është i vendosur në Sigtuna, në lagjen më të pasur të kryeqytetit të Suedisë Stokholm.
Ndërkohë në ndeshjen e “Elbasan Arenas” me Lihtensteinin do të vendosë drejtësi kryesori rus Sergei Lapochkin, ndërsa ndihmës të tij do të jenë Aleksei Lebedev dhe Aleksei Lunev po nga Rusia. Ndeshja e fundit që ka gjykuar Lapochkin në kompeticionet është ajo mes Crvena Zvezdas dhe Spartës së Pragës, në raundin e tretë të Europa Leagues.

Bunjaku: Kosova gati për Kroacinë

Përfaqësuesja e Kosovës ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para udhëtimit në Zagreb, ku të shtunën do të përballet me Kroacinë në ndeshjen kualifikuese të Grupi I e vlefshme për Botërorin “Rusia 2018”. Në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë para një numri të konsiderueshëm shikuesish, përzgjedhësi Albert Bunjaki së bashku me asistentët e tij provoi disa skema me të cilat pritet të përballet kundër kroatëve. Bunjaki pavarësisht kundërshtarit të vështirë është shprehur se, Kosova është gati për përballjen në Maksimir të Zagrebit.
Bajram Jashanica pritet të debutojë në një ndeshje zyrtare me Kosovën, duke pranuar se është ndjenjë e mirë të luash për vendin tënd. Qendërmbrojtësi i Skënderbeut ka mohuar zërat e fundit se do të largohet nga Skënderbeu, duke pranuar se do të luajë edhe një stinor te skuadra nga Korça. Kapiteni Samir Ujkani ka premtuar se Kosova do të japë maksimumin edhe pse e di se është vështirë kundër Kroacisë.
Mesfushori, Enis Alushi për Superpsort ka pranuar se Kosova është gati për ndeshjen kundër Kroacisë dhe shpreson se deri në fund të ciklit eliminator Kosova t’i dhurojë një fitore tifozëve të saj të shumtë.

Manaj prezantohet te Granada: I lumtur për transferimin

Rey Manaj prezantohet zyrtarisht te skuadra e Granadas, duke nisur një aventurë të re në Segunda Division. Sulmuesi shqiptar prezantohet zyrtarisht nga klubi andaluzian, ku flet për aventurën e re me fanellën bardhekuq. “Shokët e mi te Interi, Medel dhe Murillo më kanë thënë fjalë të mira për klubin e Granadas dhe jam shumë i lumtur për zgjedhjen që kam bërë”, thekson sulmuesi i lindur në Lushnjë. Në vijim, Manaj shton se kjo është një mundësi mjaft e mirë në karrierën dhe do të punojë për t’u rritur bashkë me klubin. 20-vjeçari vijon më tej duke theksuar se objektivat e skuadrës janë parësore dhe do të punojë bashkë me grupin për t’i arritur.
“Konkurrenca është e mirë për çdo ekip dhe unë premtoj që do të jap maksimumin”, e mbyll fjalën e tij në konferencën e parë të shtypit si lojtar i Granadas. Në vijim, fjalën e mori drejtori sportiv Manolo Salvador, i cili vuri në dukje cilësitë teknike të lojtarit, duke theksuar se ishte ky shkaku që Granada vendosi t’i besojë lojtarit shqiptar. “Manaj është një bast për të ardhmen dhe besoj se do ta freskojë shumë grupin aktual të ekipit tonë”, nënvizoi ai.

Sadiku: Besoj te grupi, do të kërkojmë fitoren

Sadiku në konferencë për shtyp për sifdat me Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë u shpreh se: Këto ditë nuk dalë në stërvitje, por deri të shtunën besoj se do të jem i gatshëm për trajnerin, gjithsesi do ta bisedoj me të. Mendoj që në ditët e sotme nuk ka skuadra të vogla, një gjë e tillë u pa ndaj Luksemburgut, e morëm lehtë dhe humbëm. Tre pikët në këtë takim janë të rëndësishme për të shkuar me moralin lart në Maqedoni. Do të shikoj të shtunën si do të ndihem, do ta vendosim të gjithë bashkë. Përsa i përket Legias, i gjithë ekipi ka kaluar një moment të vështirë, por tashmë i jemi rikthyer formës optimale, duke fituar tre ndeshje rresht. Unë mundohem të japë më të mirën time. Sulmuesi këtë detyrë ka, se sa do t’ia arrijë nuk e di. Çdo ndeshje për mua është si finale. Dëshira ime është të realizoj sa më shumë gola. Nuk kam folur me trajnerin se kush mund të jetë zëvendesuesi im. Është detyra trajnerit. Latifi mendoj që po, mund të jetë një opsion, i ka treguar vlerat e tij edhe në ndeshje të rëndësishme si ato në Europa League.
Varet nga ndeshjet apo rivali. Ne jemi një kombëtare e vogël, por do më pëlqente të luaja me një tjetër sulmues në krah. De Biasi preferonte të luante me 1 sulmues. Nuk është problem, nëse luajmë me dy sulmues është ndihmesë për mua.
Na dërguan në një stadium të vogel për shkak të frikës se mos mbushej me shqiptarë. Sidoqoftë ne do të shkojmë atje me kokën lart për të marrë tre pikë. Alisoki e pranon që jemi një skuadër më e fortë se ta. Me Maqedoninë në Shkodër shënuam shpejt. Një gabim i joni solli barazimin, por gjatë gjithë kohës kishim kontrollin. Nuk jemi më të fortë se ata, pasi janë një skuadër me elementë cilësorë, por unë besoj te grupi.

Artikulli paraprakKërkojmë dy fitore
Artikulli tjetërBasha: Xhafa e Ruçi, triumf i krimit të organizuar në politikë