Erion Veliaj drejt rehabilitimit politik/ Si po përfshihet kryetari i bashkisë së Tiranës në fushatën elektorale të PS me propagandën e tij bajate

Pas ditëve të ngarkuara me akuza dhe ngjarje që e lidhin aktivitetin politik (dhe jo vetëm) të Erion Veliajt me SPAK, ky i fundit ka nisur të rishfaqet në aktivitetet politike të PS.

Ndonëse jo fort në qendër të vëmendjes siç është mësuar këto vitet e fundit, Veliaj sërish ka nisur të fitojë terren duke qenë edhe afër kryeministrit Rama. Sot ai ka shpërndarë, si rëndom, një intervistë ku flet për votën e emigrantëve, duke u bërë thirrje atyre të votojnë për PS.

“Ideja më revolucionare në atë kohë ishte e votës së emigrantëve. Më vjen mirë që sot që jemi në drejtim të vendit kemi bërë realitet votën e emigrantëve, pavarësisht se ne tentuam që atëherë dhe nuk kishim nga kundërshtarët tanë dashamirësinë ose dëshirën për ta bërë këtë gjë” – tha Veliaj.

Në fakt, kjo është gënjeshtra e radhës e Veliajt, pasi në 12 vite pushtet PS i ka pasur të gjitha mundësitë për ta realizuar këtë. Nëse vërtet do ishte vullnet i socialistëve, këtë mund ta realizonte shumë thjesht në vitin 2019 kur ka pasur shumicën në parlament dhe pa asnjë opozitë aty, siç bëri me kodin zgjedhor. Por vota e diasporës u mundësua këtë vit vetëm pas ultimatumit të Gjykatës Kushtetuese.

Kryebashkiaku pati një përgjigje edhe për protestat para bashkisë, ku tha se ky është një sens i lirë dhe askush nuk të ngacmon për sa kohë që nuk prish rendin, nuk bllokon trafikun dhe nuk shkatërron pronën publike. Ai madje bëri dhe një krahasim me 21 janarin dhe tha se sot jetojmë në ditët më të mira edhe për opozitën.

“Atëherë të bëje opozitë nuk ishte e lehtë. Ju kujtoj 21 janarin, një histori e tmerrshme që ende nuk ka gjetur rrugën e drejtësisë dhe shpresoj që do ta gjejë shumë shpejt.

Të krahasohet me sot ku ti proteston lirshëm, te kryeministria, te bashkia çdo javë, dhe ky është një sens i lirë dhe askush nuk të ngacmon, bëj çfarë të duash për sa kohë që nuk prish rendin, nuk bllokon trafikun dhe nuk shkatërron pronën publike. Në këtë sens unë besoj se jetojmë në ditët më të mira edhe për opozitën”, deklaroi Veliaj.

Në fakt 21 janari përdoret politikisht nga PS dhe s’ka psur asnjë vullnet në tre mandate që ta kontribuojë në zbardhjen e ngjarkes, përveç se emëroi si kryebashkiak njërin nga gardistët. Përtej kësaj, Veliaj ka harruar se si organizator i asaj proteste, shkatërruan e dogjën duke cenuar rendin dhe pronën publike.

Detaji tjetër në deklaratën e Veliajt, është lënia pas e gjuhës agresive ndaj Berishës dhe opozitës, ndërsa i kujtoi kësaj të fundit se ajo ka lirinë të protestojë pa pengesa. Kjo mund të jetë e vërtetë, duke marrë parasysh edhe deklaratat e ish-kolegut të tij Arben Ahmetaj që tha se protestat para bashkisë financohen bga Belinda Balluku.

Erion Veliaj ende ka “hesape” të pambyllura me SPAK, ndërsa ky i fundit e ka ngarkuar me 4 akuza. Ndërkoh që ende mbetet në pikëpyetje e ardhmja e tij në raport me drejtësinë e re, duket se në PS dalëngadalë ai po rehabilitohet si një drejtues i fushatës që sapo ka nisur. Por sigurisht, pa forcën dhe “ndriçimin” e fushatave të kaluara.

Artikulli paraprakI riu shqiptar humb jetën në një aksident në Greqi, makina e tij del nga rruga, përplaset me një pemë më pas…
Artikulli tjetërTemperaturat zbresin disa gradë nën zero, java që vjen pritet të jetë e ftohtë! Në disa zona do ketë reshje bore. Parashikimi i motit për 5 ditët e ardhshme