Apeli i GJKKO-së la në masë arrest me burg kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj i dyshuar për 4 vepra penale. Vendimi i dhënë nga gjyqtari Engert Pëllumbi pranoi kërkesat e dy prokurorëve, Altin Dumani dhe Ols Dado për ta lënë në qeli Veliajn, edhe pas përgjimeve që atij i janë bërë në qeli, në paraburgimin e Durrësit.
Sipas burimeve mediatike të pakonfirmuara zyrtarisht, përgjime përbëhet prej rreth 90 fletësh, ku kryebashkiaku Erion Veliaj flet me familjarët e tij, kryesisht të vëllain, Arbër Veliaj për të organizuar një fushatë sulmi ndaj prokurorit dhe gjyqtarit të çështjes së tij. Në përgjime bëhet me dije se është organizuar një fushatë e tërë për të sulmuar dy njerëzit e drejtësisë deri në detaje familjare dhe personale. Artikujt denigrues për ta shkojnë përtej denigrimeve, aq sa sulmet e shpërndara në mediet pranë bashkisë dhe disa portale, duken me shumë si fletërrufe të ulta sesa tentative për të shkruar diçka që mund të quhet gazetareske.
Sipas burimeve, materialet që do të shkruheshin në mbrojtje të Veliajt, përgjigjet që do të jepen, qëndrimet që do të mbahen duhet kalojnë më parë nga REDAKTORI, një emër që akoma nuk dihet se kush është.
Por përpos mungesës së etikës dhe neverisë së këtyre shkrimeve, përgjimi i Erion Veliaj vërteton tashmë diçka të ditur prej kohësh: pushtetin dhe lidhjet e forta ka që kryebashkiaku me mediet në vend. Këto të fundit e kanë kthyer Veliajn në një furnizues të propagandës dhe lajmeve të pakonfirmuara.
Kryebashkiaku është një model më vete në marrëdhënien që ka ngritur me mediet prej kohësh tashmë, duke u shndërruar në zyrtarin që kurrë nuk dha asnjë konferencë për gazetarët përballë. Në vend të kësaj, Veliaj gjithmonë ka preferuar kontrollin e informacionit, kasetat e gatshme nga stafi i PR-it me dhjetëra punonjës, postimit e gënjeshtra trashanike dhe futjet “live” për prerjen e një shkurreje.
Nuk kanë munguar rastet kur Veliaj është futur live si lajm i fundit në shumë mediet, teksa ai ndodhet jashtë vendin. Asnjë nga këto medie nuk denjonin ta vërtetonin vendndodhjen e kryebashkiakut, por vetëm transmetonin si punonjës të bindur kronikat e tij të gatshme. Për ironi, Veliaj nuk e harroi këtë huq, aq sa ditën e arrestimit të tij, ku në momentin që agjentët po e arrestonin ai ndodhej live në një kopësht të kryeqytetit.
Sigurisht vesi del më shpirtin! Veliaj nuk e ndaloi punën e tij për të kontrolluar mediet në vend as nga burgu. Në ditët e para që ndodhej në qeli, ai përpos statuseve plot vrer dhe ofendimeve ndaj prokurorit Dado dhe gjyqtarit Bani, u sigurua që të propagandonte edhe pas hekurave, përmes disa intervistave në televizionet kombëtare dhe lokale në vend.
Njeriut që nuk kishte dhënë një konferencë për mediet, njeriut që ka intimiduar gazetarë dhe ka mbyllur medie, iu lejua sërish që të bënte kryeredaktorin edhe nga qelia. Kërkesa për “intervistë” erdhi nga stafi i bashkisë së Tiranës, staf i cili duket se ka harruar se është në funksion të një institucione publik dhe jo të një personi të vetëm si Erion Veliaj. Duke qenë në pamundësi për kronika të gatshme të montuara, Veliaj i duheshin këto intervista për të pastruar disi fytyrën e tij të bërë pis dhe për të krijuar një narrativë të rremë kundër njerëzve të drejtësisë. Dhe sigurisht, mediet që i shërbyen para se të arrestohej, i shërbyen këtë herë edhe në qeli.
Një nga gazetarët e përfolur në përgjime, Mero Baze, nuk e mohoi mbështetjen e tij për kryebashkiakun, madje u shfaq shumë krenar, teksa Veliaj kishte përmendur që i kishin pëlqyer shkrimet e Bazes, një seri shkrimesh ku gazetari sulmon njerëzit e drejtësisë dhe SPAK-un, duke mbrojtur Veliajn.
Pak më i zbutur se Mero Baze ishte Carlo Bollino në shkrimet e tij, por duke bërë gjithmonë avokatinë e Veliajt. Në mediet e drejtuara nga ai gjen plot shkrime në mbrojtje të kryebashkiakut dhe shkrime denigruese e sulme ndaj gjyqtarit e prokurorit të çështjes. Madje aty publikohet edhe një shkrim i Ilir Yzeirit ku gjyqtari Ergert Pëllumbi sulmohet e denigrohet për pamjet e tij fizike. Duket se devizat nga burgu të Erion Veliajt janë zbatuar më së miri, përdorur çdo armë dhe mjet të mundshëm, deri tek pamja fizike.
Nga ana tjetër Grida Duma bëri një lloj shpjegimi për intervistën me Veliajn në emisionin e saj, duke pranuar se kërkesa kishte ardhur nga bashkia, por duke thënë se nuk kanë pasur komunikim drejtpërsëdrejti me Veliajn. Zonja Duma duke u përpjekur të justifikohej, nuk diti të përgjigjet se pse kjo e drejtë nuk iu dha edhe shumë zyrtarëve të tjerë në burg, por vetëm Erion Veliaj!
Zonja Duma duhet të kishte pyetur veten si drejtuese emisioni, edhe pse ka pak kohë në gazetari pasi hoqi dorë nga politike, se pse i duhej dhënë hapësirë një kryebashkiaku që kurrë nuk është përballur me mediet, kurrë nuk ka mbajtur konferenca me gazetarë, por i ka sulmuar ata që e kritikojnë dhe i nxjerrin aferat në mënyrat më të ulta! Pse duhej të tregohej kaq dashamirëse me një kryebashkakik që kurrë nuk e ka respektuar medien, duke qenë qe shpesh Duma flet për etikën, të drejtën dhe standardin që ajo e mban kaq lart!
Ndoshta Zonja Duma me Veliajn ka ndjekur standardin e hapësirës televizive që dha Safet Bajrit, një personi të akuzuar për vrasje, i cili të nesërmen u arrestua nga SPAK po për këtë krim.
Megjithatë, këto intervista, lajme, qëndrime dhe sulme shërbyen për t’i bërë gropën më thellë Veliajt pasi prokurorët i përdorën ato në gjyq kundër tij.
Ky përgjim i SPAK nuk mund të kalojë pa ngritur disa pyetje të rëndësishme: si mundi që gjatë kohës që ishte në qeli, Veliaj u shndërrua de facto në kryeredaktorin e këtyre medieve, duke u përcaktuar vijën editoriale që duhet të mbanin, duke hedhur poshtë çdo etikë apo normë gazetareske? A është kjo një vazhdë e marrëdhënies që ia ka pasur me televizionet si kryebashkiakut me transmetimin e kronikave të gatshme, lejeve të ndërtimit dhe incineratorit të Tiranës? Po vëllai i tij, Arbër Veliaj, si ka ndikuar me kompaninë e tij të reklamave në këto medie duke krijuar një urë mes kryebashkiakut dhe këtyre medieve? Po roli i kompanisë telefonike “ONE” në lidhje me bashkinë dhe Arbër Veliajn?
Pasi të mbarojë punë me dosjen që kanë në duart ndaj Veliajt, ndoshta SPAK duhet të merren pikërisht me këtë dosje: Marrëdhënien okulte të Erion Veliajt me mediet, një marrëdhënie që lidh pothuajse të gjitha aferat e tjera në bashkinë e Tiranës, qysh nga inceneratorët, lejet e ndërtimet e deri tek aferat e “artit” të Ajola Xoxës.
Kjo marrëdhënie ka sjellë një situatë sa qesharake, ku bëmat e kryebashkikut futen si lajm i jashtëzakonshëm apo live, edhe kur ai merr fymën, ndërsa përbëjnë një qasje të rrezikshme lajmet e censuruara lidhur me aferat e tij.
E në këtë pikë, vetë mediet dhe gazetarët, sidomos pronarët e këtyre të fundit, duhet të pyesin veten se deri kur, qoftë në liri apo nga burgu, do ta lejojnë Erion Veliaj të jetë kryeredaktori i tyre!/