Erion Veliaj, ky zaptues i madh i shesheve në Tiranë

Nga Vna.al

Sheshi “Skënderbej”, sheshi “Willson”, sheshi “Nënë Tereza”, sheshi “Avni Rustemi” dhe sheshi “Italia” janë pesë sheshet më të mëdha të Tiranës. Ndër më kryesoret është sheshi “Skënderbej” me një sipërfaqe prej 40,000 m², që e bën atë sheshin më të madh në Shqipëri. Gjendet në qendër të Tiranës dhe mban emrin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. I vendosur në zemër të kryeqytetit, ky shesh rrethohet nga Pallati i Kulturës, Hotel Tirana, Muzeu Kombëtar dhe Banka e Shqipërisë. Në vitin 2017 u bë rikonstruksioni i fundit nga studio belge “51N4E”, dhe në ceremoninë e inaugurimit të tij, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shprehej se: “Sheshi ‘Skënderbej’ është dhuratë për fëmijët, prindërit, gjyshet e gjyshërit.” Asokohe, Veliaj tha se një hapësirë e tillë ndërveprimi midis qytetarëve dhe mjedisit publik edhe simbolikisht ishte kthyer në një shesh qendror të gjithë shqiptarëve.

Situata

Por a janë vërtet sheshet hapësira publike për të gjithë qytetarët? VNA bëri një vëzhgim në sheshet kryesore të Tiranës. E nisëm me sheshin “Skënderbej” në mes të Tiranës. Këto ditë po mbahet në kryeqytet Panairi i Agro Turizmit apo siç quhet “Agro Tirana”. E gjithë hapësira e këtij sheshi është zaptuar në kuadër të këtij aktiviteti. Dhjetëra tezga që promovojnë produktet vendase. Diku më tutje, makineri bujqësore, biznese të “homedekor” e deri tek qoftet e birrat, që nuk mungojnë asnjëherë në çdo aktivitet që zhvillohet në këtë shesh. Dhe sigurisht, në mes të tij gjendet gjithmonë një hapësirë edhe për spektakle. Në fakt, në 365 ditë të vitit, ky shesh është i zënë me aktivitete tregtare, koncerte, etj. Në shumë pak ditë mund të gjendet bosh apo i lirë për të ecur apo thjesht për të kundruar diellin dhe shiun nga qytetarët e këtij vendi.

Pas sheshit “Skënderbej”, lëvizim te sheshi “Avni Rustemi”, shumë pranë zonës së njohur në Tiranë si “Pazari i Ri”. Dy ditë më parë, kreu i bashkisë, Erion Veliaj, njoftoi se në këtë shesh do të bëhet një parkim me dy kate nëntokë. Por nga verifikimet e VNA, mesa duket nuk është pritur njoftimi nga Veliaj për nisjen e projektit, pasi prej ditësh ky shesh është i rrethuar, për t’u kthyer në kantier punimesh. Projektues është “Shoqëria A&E Engineering” sh.p.k. me një vlerë totale 648,807,116.3 lekë, me kohë realizimi 18 muaj kalendarikë. Paralelisht me realizimin e parkimit, parashikohet edhe rehabilitimi i fasadave dhe rrugës “Luigj Gurakuqi” deri te sheshi “Avni Rustemi”. Pra, edhe ky shesh aktualisht është i paaksesueshëm nga qytetarët e Tiranës.

Vijojmë më tej te sheshi “Willson”. Ky shesh, ndonëse mban emrin e ish-presidentit amerikan Thomas Woodrow Wilson, një figurë historike me kontribut të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, fatkeqësisht nuk ka asnjë hapësirë publike për qytetarët. E gjithë hapësira e sheshit dhe trotuareve në këtë zonë është totalisht e zënë nga lokalet dhe baret përreth. Vetëm pak metra më tutje, rendim drejt dy shesheve të tjera: sheshit “Nënë Tereza”, që fatmirësisht këtë periudhë, ndryshe nga sa ndodh zakonisht, ku gjendet i zënë nga garat me makinë, aktualisht ishte i lirë. Tjetër panoramë ofron sheshi “Italia”, i cili jo vetëm ishte i zënë, por nuk kishte asnjë tabelë apo shpjegim mbi qëllimet e aktivitetit. Një çadër e madhe ishte vendosur në këtë shesh.

WhatsApp Image 2024 10 12 at 9.13.16 AM

Arkitektët

Kur flasim për sheshet, arkitektët shprehin rezerva sidomos për qëllimin e përdorimit të tyre nga klasa politike. Ata shprehen se “Qëllimi kryesor dhe fisnik është që të gjithë banorët e Tiranës, si dhe vizitorët vendas dhe të huaj, të kenë së paku rehati shpirtërore kur shfrytëzojnë sheshin kryesor të kryeqytetit të Shqipërisë. Prioritet duhet të kenë këmbësorët pa cenuar aspak trafikun dhe funksionimin e sheshit në rrethanat e reja të ekonomisë së tregut, pa cenuar rëndësinë dhe identitetin urban që ka krijuar gjatë historisë së re të Shqipërisë sheshi “Skënderbej” në Tiranë.”

LEXO  Denoncimi i maturantëve: Sistemi elektronik favorizon regjistrimet në universitetet private

Ata shkojnë më tej kur shprehen se “Identiteti urban i shesheve është shumë i rëndësishëm në kujtesën historike të një populli. Nëse veprohet ndryshe, atëherë do të kemi hapësira publike të privatizuara. Tendenca të tilla ka në tërë Kosovën, posaçërisht në Prishtinë, e si po duket edhe në Tiranë. Ky është një hendikep për tërë shoqërinë shqiptare, pasi sheshet qendrore të kryeqyteteve nuk duhet të jenë më vetëm simbole të rëndësisë urbane, por edhe të rëndësisë kombëtare, ideologjike, ekonomike, politike, emocionale dhe personale.”

Mesa duket, shqetësimi i arkitektëve qëndron, pasi këto sheshe në Tiranë, më shumë se hapësira publike, po kthehen në hapësira ku kushdo mund t’i privatizojë sa herë dhe kurdoherë t’i duhen.

 

Exit mobile version