Nga Rigels Seliman
Në teatrin politik shqiptar, fjalët shpesh kanë më shumë peshë se faktet, dhe heshtjet flasin më shumë se britmat. Reagimi i fundit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është një pasqyrë e qartë e këtij paradoksi, një akt i mirëllogaritur që tenton të barazojë një mbrojtje të heshtur ndaj vetes me një sulm të sofistikuar ndaj kundërshtarëve dhe një mesazh të koduar për shefin e tij politik, kryeminisrit Edi Rama. Në deklaratën e tij të gjatë, Veliaj ndërton një narrativë që është më shumë një apologji publike sesa një përballje reale me akuzat. Duke nisur me sulme të ashpra ndaj Sali Berishës dhe kundërshtarëve të tjerë politikë, ai krijon një distancë morale, përpiqet të spastrojë terrenin e debatit dhe të devijojë vëmendjen nga thelbi i çështjes: hetimi i tij pasuror nga SPAK. Sulmet ndaj Berishës janë një strategji klasike për të galvanizuar bazën e tij politike dhe për të zhvendosur debatin në një fushë të njohur, ku PS e ndjen veten të sigurt. Por, ajo që e bën këtë deklaratë të veçantë, është mënyra indirekte me të cilën Veliaj sfidon SPAK-un dhe njëkohësisht i drejtohet Edi Ramës.
Frika e një hetimi që po afrohet
Në mënyrë të dukshme, Veliaj përpiqet të shfaqet si një individ i pastër dhe i hapur ndaj hetimeve. Megjithatë, tonet e tij shpesh tregojnë një ndjenjë frike dhe pasigurie. Fjalitë si “Nuk kemi as llogari në Qipro apo kudoqoftë tjetër” dhe “As transferta të majme dhe të padeklaruara për ndërhyrje estetike” tingëllojnë më shumë si justifikime të nxituara sesa si deklarata të sigurta të pafajësisë. Reagimi i tij kundër “altoparlantëve mediatikë” dhe “korbave” tregon një shqetësim të thellë për perceptimin publik, një përpjekje për të kontrolluar narrativën para se ajo të dalë nga duart e tij. Kjo frikë ndaj SPAK-ut nuk është vetëm personale, por edhe politike. Në një sistem të mbizotëruar nga kontrolli partiak dhe lojaliteti i heshtur, një hetim ndaj një zyrtari të lartë socialist është një këmbanë alarmi. Veliaj, një figurë që shpesh shihet si pasardhësi i mundshëm i Ramës, po përballet me një rrezik që shkon përtej çështjeve personale – ai kërcënon të dobësojë pozicionin e tij politik dhe të minojë besimin e bazës socialiste në drejtësinë që ai pretendon ta mbështesë.
Një mesazh për Ramën dhe të tjerët