Erion Veliaj në SPAK, nga “vemja” e G99 dhe Mjaft në “kolegu” i prokurorëve specialë

Nga Rigels Seliman

Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës dhe njeriu që dikur i thurte lavde protestave kundër të njëjtës, Parti Socialiste, që sot e konsideron shtëpinë e tij politike, shfaqet në SPAK duke luajtur rolin e njeriut të padjallëzuar. Një spektakël që vetëm Veliaj di ta prodhojë: me buzëqeshje të ngrira, fjalë të zgjedhura dhe një arrogancë të stërholluar që fsheh dëshpërimin e tij për t’u dukur si “i paprekshëm.”

Si guxoi Veliaj t’i quante prokurorët e SPAK “kolegë”? Kolegë në çfarë? Në ndërtimin e sistemit më të deformuar të ndërtimeve në Tiranë? Në fshehjen e aferave që ndotin çdo cep të kryeqytetit? Apo në përpjekjet për të treguar se SPAK është thjesht një dekor në teatrin e drejtësisë shqiptare?

Nuk duhet harruar se Veliaj nuk ka asnjë rrënjë të vërtetë në Partinë Socialiste. Ai është një kameleon politik, një “vemje” që dikur, si aktivist i MJAFT-it dhe më vonë si pjesë e G99, shpaloste një platformë antikapitaliste dhe antikorrupsion. Ironikisht, sot ai është simboli i atyre që dikur luftonte – një hipokrit që shfrytëzoi momentin dhe naivitetin politik të të tjerëve për të hipur në majë.

Erion Veliaj është prova e gjallë se arroganca dhe hipokrizia mund të mbulojnë përkohësisht mungesën e meritokracisë. Ai u katapultua në PS, jo për kontributin e tij, por për aftësinë për të pasur miq në vendet e duhura dhe për të përdorur një retorikë të zbrazët, por tërheqëse. Por a mundet një person me kaq pak kontribut real të jetë përfaqësues i Tiranës apo edhe i Partisë Socialiste?

Për shumë socialistë të vërtetë, Veliaj nuk është gjë tjetër veçse një i huaj në familje. Ai nuk përfaqëson idealet e PS-së, por një makineri cinike përfitimi personal dhe pushteti. Ai është ai që kurrë nuk luftoi për PS-në, por vetëm për veten.

Dhe SPAK? Për sa kohë Veliaj del i buzëqeshur nga dera e tyre dhe me guximin për t’i quajtur “kolegë,” atëherë drejtësia shqiptare ka ende shumë për të dëshmuar. Sepse për qytetarët, SPAK-u nuk ka pse të jetë kolegu i Veliajt, por gjykatësi i tij.

Epilog: Hipokritët mund të përfitojnë për një kohë, por arroganca e tyre është gjithmonë hapi i parë drejt rrëzimit. Erion Veliaj, pavarësisht nga rrobat e tij të sofistikuara, mbetet ai që ishte gjithmonë – një kameleon politik që ndërron ngjyrat sipas nevojës. Por një ditë, kameleonët mbeten pa ngjyra.

Artikulli paraprakHetimet për familjen “Veliaj”/ Reagon SPAK: Ka të dhëna për 4 vepra penale
Artikulli tjetërNën akuzë për korrupsion në zgjedhjet e 6 marsit 2022, SPAK kërkon 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla