Nga Ervis Iljazaj
Nuk dihet ende se cila parti do ta formojë qeverinë në Kosovë. Qytetarët e Kosovës nëpërmjet votës së tyre nuk nxorrën një parti fituese me një mazhorancë absolute, ashtu sikurse ndodhi me Vetëvendosjen në zgjedhjet e kaluara. Ka shumë mundësi që Kosova do të futet në një spirale të formimit të qeverisë që mund të zgjasë edhe shumë, një gjë e cila ka ndodhur dhe hërë të tjera.
Në fakt këto janë efektet e sistemit zgjedhor të Kosovës, atij të proporcionalit kombëtar. Një sistem që mundëson përfaqësimin politik, por që vështirëson formimin e qeverisë dhe qëndrueshmërinë e saj. Shumë herë qeveria e Kosovës nuk ja ka dalë të përfundojë mandatin e saj dëri në fund për shkak të këtij sistemi.
Gjithsesi, edhe pse sistemi zgjedhor ka këto efekte në formimin e qeverisë dhe institucioneve të saj , demokracisë së re të Kosovës i duhen bërë elozhe. Një proces zgjedhor që shkoi në mënyrën më demokratike të mundshme, pa incidente dhe në një mënyrë të qetë.
Në raport me Shqipërinë, por jo vetëm, Kosova ndoshta është një shembull për tu marrë në menaxhimin e procesit zgjedhor dhe sjelljes së votuesve. Në Kosovë ndryshe nga Shqipëria, rezultati doli drenda dy ditëve. Asnjëra nga partitë politike nuk e kontestoi rezulatin dhe të gjithë ju bindën vullnetit të qytetarëve. Nuk pati në Kosovë akuza si kriminelë apo banda vinin rrotull qendrave të votimim. As akuza për blerje votash apo manipulim zgjedhjesh nuk kishte midis palëve politike.
Në këtë kuptim, Kosova, edhe pse një shtet i ri, krahasuar me Shqipërinë është një vend që në këtë pikë është shumë përpara. Dhe kjo nuk është një arritje e vogël për demokracinë kosovare. Edhe sjellja qyetare në raport me politikën gjithashtu është shumë herë me e avancuar. Votuesit në Kosovë nuk votojnë për vite me radhë njësoj ashtu sikurse ndodh në Shqipëri. Por të shikosh me kujdes përqindjet e partive politike ndryshojnë nga zgjedhjet në zgjedhje. Gjë e cila tregon se ajo është një shoqëri që gjykon, mendon në varësi të sjeljes politike, dhe më pas vendos për votën e saj.
Rezultati i zgjedhjeve e tregoi më së mirë këtë karakteristikë të fleksibilitetit të sjelljes elektorale të qyetarëve të Kosovës. Rezultati tregon qartë një konsumim të qeverisjes së Vetëvendosjes pas një mandati të plotë të saj, por që kjo pakënaqësi nuk rezultoi të kanalizohej e plotë nga opozita. Edhe pse Vetëvendosje nuk arriti dot të merrte shumicën e deputetëve e vetme dhe pati një rënie nga zgjedhjet e kaluara, opozita në Kosovë nuk arriti dot të sillte entuziazmin e duhur te qytetarët e Kosovës.
Gjithsesi qyteratë e Kosovës e bënë detyrën demokratike duke shprehur vullnetin e tyre, tashmë është në dorën e politikës së saj për tu sjellë me përgjegjësinë që i takon dhe sfidave shumë të vështira që ka përpara shteti i Kosovës.
Kosova është përballë sfidave shumë të mëdha, sidomos në politikën e jashtme. Prandaj duhet të ketë mënçurinë dhe maturine e duhur për t’i bërë ballë atyre. Ndryshimi i situatave gjeopolitike dhe me një adminsitratë të re në Amerikë, edhe Kosova duhet ti përshtatet këtyre ndryshimeve. Dhe kjo është përgjegjësia e politikës kosovare që duhet të vendosë intersat e vendit përpara interesave strikte personale të pushtetit.