Ervis Iljazaj: Hetimi i krimeve zgjedhore janë prova përfundimtare e SPAK

Nga Ervis Iljazaj

Në kuadër të kritikave dhe sulmeve që Edi Rama i ka bërë SPAK kohëve të fundit, edhe sot (dje) nuk nguroi ta quante iniciativën e prokurorisë së posaçme kundër krimeve zgjdhore një marrëzi. Por nëse ka një provë përfundimtare dhe sfidë të vërtetë që SPAK ka për të fituar besueshmërinë e shqiptarëve edhe më shumë se sa e ka, është pikërisht hetimi i krimeve zgjedhore.

Manipulimi i zgjedhjeve është krimi mbi krimet. Çdo krim tjetër, që nga korrupsioni dhe të tjerë, është më pak i dëmshëm se sa krimi zgjedhor për shoqërinë shqiptare. Nga manipulimi i zgjedhjeve, blerja e votave apo krimi zgjedhor në përgjithësi, burojnë të gjitha krimet e tjera. Nga krimi zgjedhor dëmtohet gara demokratike, krijohen klientelizma dhe buron korrupsioni si pasojë i një mekanizmi që është krijuar dhe që ka në themel pikërisht manipulimin e zgjedhjeve.

Në këtë kuptim hetimi i kësaj vepre penale nga ana e SPAK është një detyrë mbi detyra e kësaj strukture, dhe është ndoshta shërbimi më i madh që do t’i bëjë shoqërisë shqiptare nëse vërtetë ka sukses. Prandaj, jo vetëm që nuk është marrëzi, por është një hap i vonuar.

E vërteta është se për krime zgjedhore deri më sot, edhe pse ka qenë një fenomen i përhapur në zgjedhjet shqiptare, janë dënuar vetëm disa funksionarë apo persona pa ndonjë rëndësi të madhe. Nërkohë që manipulimi i zgjedhjeve është një fenomen politik që nis nga krerët politikë e përfundon deri te anëtarët më të thjeshtë të partive politike apo personazheve që angazhohen në fushata elektorale.

Problemi qëndron jo te hetimi i kësaj vepre penale, por te fakti nëse vërtetë kjo strukturë e veçantë e ngritur nga SPAK për të hetuar krimet zgjedhore do të jetë e aftë të mbulojë të gjithë territorin shqiptar, madje kësaj here edhe votën e diasporës.
Normalisht ekzekutivi duhet ta mbështesë këtë strukturë me mjetet e nevojshme për të kryer këtë detyrë, dhe jo ta quajë këtë iniciativë një marrëzi.

Marrëzi është që Shqipëria edhe pas 34 viteve pluralizëm ende nuk zhvillon zgjdhje të lira dhe të ndershme, si asnjë vend tjetër në rajon, në Europë po se po.

Nuk ka asnjë vend tjetër në Europë që palët politike të mos njohin rezultatet e zgjedhjeve si Shqipëria. Në çdo vend tjetër zgjedhjet janë një manifestim demokratik, ndërsa në Shqipëri është një ditë ankthi dhe tensioni social pikërisht për frymën që shoqëron zgjedhjet parlamentare.

Në këtë kuptim, për hir të demokracisë shqiptare, për hir të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe të ardhmes së saj, SPAK e ka për detyrë që ta kryejë këtë mision. Nëse do t’ja dalë me sukses do të jetë një precedent i mirë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, aq shumë të munguara në realitetin tonë.

Sigurisht ekziston gjithmonë rreziku në këto raste të abuzohet, sepse një fije e hollë e ndan aktivizimin politik nga krimet zgjedhore. Gjithsesi askush nuk duhet të trembet nga kjo strukturë nëse vërtetë s’ka dorë në manipulime zgjedhore. Është koha që shqiptarët më në fund të votojnë të lirë dhe të shprehin vullnetin e tyre ashtu sikurse ata e mendojnë pa presione të natyrave të ndryshme, dhe aq me tepër pa presione të parave apo bandave që angazhohen nga politika për të presionuar qytetarët ditën e votimeve dhe para saj./liberale.al

Artikulli paraprakAnaliza/ Votimet në Gjermani dhe e ardhmja politike e Evropës! Çfarë përcaktohet nga këto zgjedhje?
Artikulli tjetër“Harabeli”, Ajola Xoxa që pa gdhirë rikthehet në SPAK